Sa kujdesen shqiptarët për higjenën e gojës
Flet për “Koha Jonë” lidhur me kujdesin ndaj dhëmbëve dhe sëmundjeve të tyre, mjekja stomatologe Mirana Boriçi
Intervistoi: Sidorela Lepri
Sëmundjet e dhëmbëve dhe shqetësimet ndaj tyre janë ndër më të përhapurat në shoqërinë tonë, kjo për një sërë shkaqesh të lidhur me faktorë të jashtëm apo gjenetikë. Por sa të ndërgjegjësuar jemi ne për kujdesin ndaj shëndetit të gojës? Cilat janë problemet më të shpeshta të dhëmbëve? Sa ndikon regjimi ushqimor në shfaqjen e këtyre problemeve?
Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, mjekja stomatologe Mirana Boriçi flet për të gjitha këto shqetësime, nisur edhe nga praktika e saj e punës.
Në mbyllje, ajo ndan edhe disa këshilla për mirëmbajtjen dhe kujdesin ndaj gojës.
Nga praktika juaj e punës, mund të na tregoni se cilat janë shqetësimet që kanë kryesisht pacientët shqiptarë kur drejtohen te mjeku stomatolog?
Në praktikën e përditshme dominojnë pacientë neglizhentë që drejtohen tek mjeku stomatolog me shqetësimin kryesor dhimbjen nga dhëmbët e prishur me prekje të nervit, pacientë me cipa dhe gurëza sidomos në qafën e dhëmbit, me gjakderdhje dhe dhimbje nga gingivat e inflamuara, ankesë për erë të keqe të gojës dhe pacientë me dhëmbë të hequr para kohe dhe të interesuar për zëvendësime protetike. Më të pakët, janë pacientët më të kujdesshëm dhe kërkues që shqetësim kryesor kanë estetikën, ku përfshihet zbardhimi i dhëmbëve, drejtimi i tyre dhe rregullimi i kafshimit me anë të aparateve ortodontike.
Sa të ndërgjegjësuar jemi ne si popull për kujdesin ndaj shëndetit të gojës?
Duhet të theksoj që kujdesi ndaj shëndetit të gojës, është kujdesi që mësohet së pari në familjet tona, duke u përcjellë nga prindi tek fëmija dhe shkon paralel me kujdesin e shëndetit në përgjithësi, gjë për të cilën ne si popull lëmë shumë për të dëshiruar. Ndërgjegjësimi nuk është efektiv në kohë, përderisa pacientët paraqiten në fazën kur duhet të trajtohet problemi dhe jo në kontrollet periodike tek mjeku stomatolog, të cilat do të parandalonin dhe do të evidentonin sëmundjet e gojës në fazat e hershme dhe do eliminonin pasojat e tyre, madje edhe me kosto më të ulët. Ndërgjegjësimi për marrjen e informacionit dhe zbatimin e tij është i vonuar, atëherë kur problemi është i pranishëm dhe nuk janë marrë masa për parandalimin e tij. Këtë e vërtetojnë dhe shumë pacientë që kanë humbur dhembët para kohe, të cilët shprehen me keqardhje: Ah sikur të kishim treguar më tepër kujdes!
Cilat janë problematikat më të shpeshta që shfaqen te shqiptarët sa i takon kujdesit për dhëmbët?
Problematikat që shfaqen te shqiptarët përsa i përket kujdesit të dhëmbëve kanë të bëjnë pikërisht me mungesën e një edukate rigoroze, sistematike dhe të përhershme që duhet të zbatojnë lidhur me higjienën e gojës dhe mënyrën e të ushqyerit. Vërehet larja jo e rregullt e dhëmbëve. Po ashtu, neglizhohet larja e dhëmbëve në darkë, e cila është më e rëndësishme. Një problem tjetër është teknika jo e duhur e larjes së dhëmbëve, ku lëvizjet horizontale, të forta të furçës në qafën e dhëmbit mund të japin një abrazion të smaltit në qafën e dhëmbit për arsye së smalti aty është më i hollë 0.01mm. Pacientët harrojnë të ndërrojnë furçën e dhëmbëve, e cila me kalimin e kohës bëhet me qime më të ashpra dhe jo higjienike. Larja e dhëmbëve bëhet shumë e sipërfaqshme pa kaluar furçën në të gjitha sipërfaqet e dhëmbëve, sidomos tek dhëmbët posteriore dhe sipërfaqet e brendshme të dhëmbëve të poshtëm larja është më e pakët, këtë e tregojnë edhe prania e gurëzave në zonat e qafës së këtyre dhëmbëve. Problem kryesor tek disa pacientë është moslarja e mishrave të dhëmbëve (gingivave) në qafën e tyre, për arsye se pacientët shprehen që u gjakosen mishrat dhe prandaj nuk i lajnë. Kjo është shumë e gabuar për arsye se enët e gjakut të gingivave janë të inflamuara si pasojë e toksinave që vijnë nga fermentimi i mbetjeve ushqimore. Moslarja e mishrave të dhëmbëve e përkeqëson problemin. Mospërdorimi i fillit dentar shton rrezikun për shfaqjen e kariesit në sipërfaqet ndërmjet dhëmbëve fqinje.
Po përsa i përket shkaktarëve të probleme të gojës, cilët janë?
Shkaktarët e sëmundjeve periodontale të dhëmbëve, të kancerit të gojës, të anomalive të veçanta dentare dhe anomalive skeletike të nofullave janë në përgjithësi faktorë gjenetikë. Ndërsa për sa i përket problemeve që kanë të bëjnë me kariesin, sëmundjet e gingivave, infeksionet dentare, përgjegjëse janë higjena e pamjaftueshme e gojës, dieta ushqimore e pasur me karbohidrate dhe lënia e dhëmbëve të patrajtuar për një kohë të gjatë. Përsa i përket anomalive në dhëmbë e në proceset alveolare shkaktarët kryesore janë heqja para kohe e dhëmbëve të qumështit apo traumat dentare në fëmijët e vegjël gjatë rrëzimit të tyre. Ndër shkaktarë të tjerë që dëmtojnë dhëmbët, mukozën e gojës apo gjendrat e pështymës janë edhe duhani, alkooli dhe drogat e ndryshme.
Sa ndikon regjimi ushqimor në shfaqjen e këtyre problemeve?
Regjimi ushqimor me një ushqyerje të ekuilibruar është faktor dominant për një gojë të shëndetshme. Duhet të konsumohen produkte të pasura me kalcium, fosfor dhe fluor në nivele të përshtatshme, prandaj rekomandohen qumështi, produktet e tij, frutat dhe perimet. Konsumimi i ushqimeve të buta, të cilat përmbajnë në shumicën e rasteve karbohidrate ose brumëra është i rrezikshëm, sepse ato ngjiten në sipërfaqen e jashtme të dhëmbit për të përgatitur zgavrën e prishjes. Nga ana tjetër, përdorimi i tyre nuk kërkon sforcim të muskujve të përtypjes, që çon në mungesën e vetë pastrimit. Në rast se do të përdoren ushqime të forta nuk do të formohen cipa e më vonë edhe gurëza ne sipërfaqet e dhëmbëve. Këshillohet konsumimi sa më i pakët i frutave të thata, i ushqimeve tepër të ngrohta apo të ftohta, i produkteve të kripurave dhe atyre me sheqer, i koka-kolës apo pijet me gaz dhe ato energjike që janë të preferueshme nga adoleshentët tanë.
Ndalemi tek kriteri moshë dhe gjini, ku hasen komplikacionet më të shpeshta, si dhe çfarë duhet bërë për përmirësimin e tyre?
Kariesi prek të gjitha moshat pa përjashtim, por më i përhapur është në moshat e reja. Përsa i përket gjinisë, vërehet që gratë shtatzëna janë të predispozuara ndaj kariesit dentar dhe problemeve me mishrat e dhëmbëve. Duhet të evitohen ushqime apo ëmbëlsira që stimulojnë kariesin. Ushqimi gjatë shtatzënisë duhet të jetë i larmishëm dhe i pasur me kripëra minerale e vitamina, sidomos në periudhën e formimit të folikujve të dhëmbëve të embrionit dhe fillimit të kalcifikimit të tyre. Problemet paradontale vërehen tek adoleshentët dhe tek te moshuarit, por sidomos tek personat që konsumojnë rregullisht duhan. Rëndësi të veçantë kanë masat lokale që konsistojnë në sigurimin e higjenës së mirë të gojës dhe mënjanimin e cipave dhe gurëzave që formohen herë pas here.
Nëse një dhëmb i prishur nuk merr trajtimin e duhur në kohë, po lejohet të shkojë në prishje të gradës më të rëndë, krahas humbjes së tij, me çfarë komplikacionesh të tjera shoqërohet. Flasim këtu për organet e tjera jetësore. (Shpesh dëgjojmë nga mjekët që një dhëmb i prishur mund të ndikojë në shfaqjen e problemeve me zemrën, shëndetin mendor etj ?)
Dhëmbi i patrajtuar për një kohë të gjatë mund të jap infeksion periodontal dhe nëpërmjet foramenit apikal bakteret dhe helmet e tyre përhapen me anë të qarkullimit të gjakut në organe të tjera dhe mund të japin keratite, sinozite, bronkite astmatike, endokardite, miokardite, gastrite, ulcera, kolite, apendicite, nefrite, pielonefrite, reumatizëm, artrite deformues. Ndërsa heqja e dhëmbëve sjell vështirësi në përpunimin e ushqimit, defekte fonetike, estetike, rrudhjen dhe fundosjen e buzëve dhe të faqeve, gjë që e plak fytyrën para kohe. Sikleti estetik ndikon në uljen e vetëbesimit gjë që ndikon në shëndetin mendor. Moszëvendësimi i hershëm i dhëmbëve krijon mundësinë e pjerrësimit të dhëmbëve fqinje si edhe zbritjen e po të njëjtit dhemb antagonist në drejtim të defektit. Në përshtatje me gjendjen e re të muskujve dhe të kyçit të nofullave lindin ndryshime të mëtejshme që shoqërohen me dhimbje nevralgjike.
Sa herë duhet t’i kontrollojmë dhëmbët?
Kontrolli tek mjeku stomatolog rekomandohet dy herë në vit, por pacientët në varësi të problematikave të tyre dhe këshillave të mjekut stomatolog mund të bëjnë kontrolle edhe më të shpeshta.
Këshilla për mirëmbajtjen dhe kujdesin ndaj gojës:
-Filloni larjen e dhëmbëve qe me daljen e dhëmbit të parë. Kujdesi për dhëmbët fillon me daljen e dhëmbëve të parë. Pastrimi i dhëmbëve te foshnjat bëhet me një pecetë të pastër dhe të butë. Rreth moshës dy vjeçare, kur fëmijës i kanë dalë shumica e dhëmbëve, filloni t’ua pastroni ato me furça të përshtatshme dhe me pastë me fluor. Larja e dhëmbëve duhet të bëhet pas çdo vakti, ose të paktën dy herë në ditë, në mëngjes dhe në darke pas ngrënies.
-Përdorni pasta dhëmbësh të pasura me fluor. Fluori është i rëndësishëm për parandalimin e sëmundjes karioze të dhëmbit. Përmbajtja e fluorit në pastat e dhëmbëve varet sipas grupmoshave. Përveç pastave fluori mund të jepet me anë të tabletave, solucion me pika dhe në trajte xheli.
-Ndihmoni fëmijët tuaj gjatë larjes së dhëmbëve. Fëmijët deri në moshën 5-6 vjeç kanë nevojë për ndihmën e prindërve. Prindërit duhet ta fillojnë pastrimin e tyre dhe më pas ta përfundojnë ata.
-Larja e dhëmbëve duhet të bëhet së paku 2-3 minuta.
-Larja e dhëmbëve bëhet e plotë me lëvizje horizontale, vertikale dhe rrotulluese.
-Përdorni fillin dentar, të paktën një herë në ditë.
-Ndërroni furçën e dhëmbëve çdo 3 -4 muaj.
-Kryeni kontrollet te mjeku stomatolog çdo 6 muaj.
-Në vend të karameleve, biskotave dhe pijeve të konservuara konsumoni fruta, perime.
-Shmangni të ngrënit e shpeshtë midis vakteve, veçanërisht ëmbëlsirat, patatinat.