Sa serioz është infeksioni i rrugëve respiratore tek fëmijët?
Infeksioni i rrugëve të sipërme respiratore që në gjuhën e përditshme jemi mësuar ta quajmë “të ftohtit’’ është sëmundja më e shpeshtë që prek fëmijët. Po të llogarisim që në dy vitet e para të jetës një fëmijë preket 8-10 herë nga këto infeksione është e lehtë të kuptohet që me ekspozimin e fëmijëve nëpër çerdhe, kopshte dhe shkolla mundësia e prekjes nga sëmundja është më e madhe. Megjithatë lajmi i mirë është që nëse merren masat e duhura, këto infeksione në pjesën më te madhe të rasteve shërohen pa pasoja. Gjatë një interviste për gazetën “Shqip”, mjekja pediatre Beltin Guçe flet për mënyrën se si duhet të sillen prindërit në situatën kur fëmija i tyre sëmure.
Si përhapet kjo sëmundje?
Të ftohurat janë ne fakt infeksione te shkaktuara nga viruset. Virusi i gripit është një kategori e veçantë e këtyre infeksioneve që për nga natyra është më serioz krahasuar me infeksionet nga viruset e tjera.
Përhapja e spërklave gjatë teshtitjes apo kollitjes shpërndan virusin në ambientin përreth dhe ajri i kontaminuar përbën rrugën e kalimit nga fëmija i sëmure tek fëmija i rishtas infektuar. Por, në shumicën e rasteve, infeksionet respiratore të shkaktuara nga viruset përhapen kur duart e fëmijës bien ne kontakt me sekrecionet e hundës të një personi te infektuar. Kur fëmija prek hundën ose sytë praktikisht lehtëson futjen e virusit ne organizëm. Unë do të sugjeroja një arsye me shumë pse ne sezonin e virozave, prindërit dhe kujdestarët duhet te jenë akoma më të vëmendshëm për higjienën e të vegjëlve të tyre. Lajini sa më shpesh duart tuaja dhe këshilloni ose përkujdesuni që edhe fëmijët tuaj të veprojnë njësoj!
Cilat janë shenjat e sëmundjes?
Kur virusi hyn ne organizëm fillon ajo që quhet përgjigje inflamatore shenja me tipike e infeksioneve te sipërme respiratore është hundë që rrjedhin. Simptoma të tjera qe janë normalisht të njohura nga të gjithë janë dhimbje ose djegie fyti dhe gjithashtu kolla. Në disa raste kolla mund të zgjasë deri ne 14 ditë dhe mund te vazhdojë edhe pse fëmija nuk ka me rrjedhje hundesh apo shqetësime të fytit. Temperatura deri ne 39O C është shenjë tjetër shumë e shpeshtë dhe nuk janë të pakta rastet që mund të arrijë edhe vlerën 40. Shenja të tjera tipike janë mungesa e oreksit, përgjumja dhe dobësia trupore. Tek fëmijët në vitin e parë të jetës shenjat janë më pak të dallueshme por ajo që bie në sy është fakti që fëmija nuk ushqehet apo fle si normalisht.
Normalisht nëse infeksioni nuk komplikohet simptomat duhet të largohen gradualisht pas 7-10 ditësh.
Kur duhet kontaktuar Pediatri?
Për bebet e vogla ne vitin e parë te jetës dhe sidomos për bebet nën 3 muaj është gjithmonë e këshillueshme konsulta me pediatrin për shkak sepse së pari për prindin është e vështirë të vlerësojë se sa serioze është sëmundja dhe se dyti infeksioni mund të përparojë në rrugët e poshtme respiratore dhe të kthehet në infeksion serioz siç është bronkioliti, krupi apo pneumonia.
Për fëmijët më të mëdhenj se 3 muaj konsultohuni me pediatrin nëse:
- Vini re që gjatë frymëmarrjes vrimat e hundës zmadhohen, fëmija merr fryme me shpesh ose krijohet përshtypja që fëmija nuk mbushet me ajër.
- Buzët dhe thonjtë bëhen blu.
- Nëse sekrecionet nga hunda zgjasin me shume se 10-14 ditë.
- Kolla zgjat më shumë se 10 ditë ose përkeqësohet.
- Kur fëmija ankon për dhimbje veshi.
- Në rast se temperatura është më shumë se 38.90C.
- Fëmija është shumë i përgjumur apo i grindur.
Çfarë trajtimi duhet të bëjmë?
Antibiotiket nuk janë të nevojshëm në trajtimin e këtyre infeksioneve me përjashtim të rastit kur mjeku i fëmijës tuaj dyshon që situata mund të përkeqësohet dhe infeksioni viral të komplikohet me infeksion bakterial.
Sigurohuni që fëmija të pushojë mjaftueshëm dhe të konsumojë sa më shumë lëngje. Paracetamoli dhe ibuprofeni janë medikamente që ndikojnë shumë mirë duke lehtësuar dhimbjet dhe ulin temperaturën. Tek fëmijët nuk është e këshillueshme të përdoren dekongjestionuesit por mund te përdoret pa problem solucioni fiziologjik për pastrimin e hundëve. Për bebet e vogla dhe ne vitin e pare te jetës lagështimi i ajrit ne ambientet e shtëpisë dhe thithja me kujdes e sekrecioneve të hundës pa shkuar thellë ndikon pozitivisht.
A ka mënyra se si duhet të parandalohet kjo?
Për bebet më pak se tre muaj duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm që në sezonin e virozave duhet shmangur sa më shume kontakti me personat e tjerë sepse kjo është mënyra më e mire e parandalimit. Lloji I viruseve që qarkullojnë mund të shkaktojë simptoma shumë të lehta ndonjëherë te padukshme tek fëmijët më të rritur apo tek të rriturit por tek bebet e vogla infeksioni mund të kthehet në sëmundje serioze që ndonjëherë kërcënon dhe jetën.
Edukojini fëmijët tuaj të mbulojnë gojën apo hundën me shami kur teshtijnë apo kolliten dhe më pas të hedhin shaminë e përdorur ne koshin e duhur. Përpiquni ti shpjegoni me fjalë të thjeshta rëndësinë e gjestit dhe gjithashtu edukojini të lajnë duart me ujë dhe sapun sa herë është e nevojshme.
/ Shqip