Sa vaj ulliri konsumojmë? – 5 litra në vit për person, importi dominon tregun
Prodhimi dhe eksporti i vajit të ullirit po ecën “krah për krah” dhe po njeh rritje progresive nga viti në vit, pavarësisht se me shpejtësi minimale. Mesatarja e prodhimit të ullirit aktualisht është 90-100 mijë ton ullinj në vit, ndërsa mesatarja e prodhimit të vajit shqiptar është 17-20 mijë ton vaj ulliri në vit. Ashtu sikurse çdo industri tjetër në Shqipëri e zhvilluar privatisht në dy dekadat e fundit, edhe ky treg ka problem të konsiderueshme, që nga informaliteti, falsifikimi dhe mungesa e lidhjes me tregun.
Ndërsa importi dominon fuqishëm tregun dhe konsumin shqiptar me raport rreth 70 me 30 për qind. Prodhimi i vajit të ullirit varet nga prodhimi që merret në total i ullirit. Shqipëria ka aktualisht 11 milion pemë ulliri, ku pothuajse ½ çdo vit nuk ka prodhimtari. Pra, zakonisht llogariten gjithmonë rreth 6 milionë pemë në prodhim. Kultivimi i ullirit dhe prodhimi i vajit të ullirit është i bazuar kryesisht në biznese familjare. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Vajit të Ullirit, Shqipëria ka rreth 450 fabrika përpunimi ulliri për vaj dhe nga këto vetëm 2/3 janë të regjistruara.
90% e këtyre fabrikave punojnë si shërbim për të tretët, domethënë ata përpunojnë ullirin që sjell fermeri kundrejt një pagese dhe fermeri merr përsëri vajin e tij për konsum familjar apo për shitje, ndërsa vetëm rreth 2% e fabrikave të përpunimit të ullirit punojnë tërësisht për prodhim të vetin dhe daljen në treg me markën e tyre.
Sa i përket konsumit, ai ka ardhur në rritje dhe nga një vend me konsum 3.5 litra/person në vit, aktualisht është arritur në 5 litra në vit. Gjatë vitit 2017 janë importuar në total 1023 tonë vaj ulliri, me vlerë 548.5milionë lekë, Ndërsa janë eksportuar 113 tonë vaj ulliri, me vlerë 42.4 milionë lekë. Sa i përket shifrave të këtij vitit, në periudhën janar-shtator 2018 janë importuar 751 tonë vaj ulliri me vlerë rreth 345 milionë lekë dhe janë eksportuar 88 ton me vlerë 35.1 milionë lekë.
Vaji i ullirit
Viti 2017 Sasia Vlera
Importi 1023 ton 548.5 mln lekë
Eksporti 113 ton 42.4 mln lekë
Janar-Shtator 2018 Sasia Vlera
Importi 751 ton 345 mln lekë
Eksporti 88 ton 35.1 mln lekë
/SCAN