Sekretet e mjaltit të mirë, dhe vërteta e ngurtësimit
Shumë njerëz nuk i kuptojnë arsyet që qëndrojnë pas hollimit apo dendësisë së tepruar të mjaltit. Disa njerëz janë të mendimit se mjalti i trashë është i papërpunuar, ndërsa mjalti i hollë është përpunuar në ngrohje dhe mund të mos jetë cilësor. Mjalti artizanal puro nuk është gjithnjë më i trashë se mjalti i përpunuar. Mjalti i ngrohtë mund të jetë më i lëngshëm, por gjithsesi kur ftohet ai arrin të kthehet në dendësinë e mëparshme.
Rrjedhimisht, dendësia nuk është mënyra e vetme për të vërtetuar nëse mjalti është puro ose i pasterizuar. Trashësia e mjaltit varet nga burimi i nektarit. Pikë së pari, mjalti ndikohet nga vendi, moti, lagështia, reshjet, toka dhe ambienti. Së dyti, lloji i luleve ka një rol përcaktues në trashësinë e mjaltit.
Disa lloje të mjaltit me bazë lule nga vende të ndryshme të botës janë më të trashë në krahasim me të tjerët. Për shembull, mjalti i akacias është më i lëngshëm se llojet e tjera. Disa lloje të mjaltit të luleve kanë tendencën të kristalizohen më shpejt se të tjerët dhe temperaturat e ftohta e përshpejtojnë këtë proces, veçanërisht ato nën 10 gradë Celcius.
Në klima të ngrohta, ku temperaturat arrijnë mbi 30 gradë Celcius, mjalti qëndron i lëngshëm për shumë kohë. Nëse mjalti ka formuar kokrra atëherë vendoseni kavanozin me mjaltë në një enë me ujë të ngrohtë në temperaturë 30-35 gradë Celcius.
Koha e grumbullimit
Një tjetër arsye që e bën mjaltin të hollohet më tepër seç duhet është grumbullimi i tij nga hojet në një kohë të papërshtatshme. Bletët i përplasin krahët e tyre në koshere për të inkurajuar avullimin e ujit deri sa mjalti të bëhet më i përqendruar dhe më pas i mbulojnë hojet me dyll. Nëse mjalti mblidhet përpara avullimit të plotë të ujit, atëherë përmbajtja e lagështisë do të jetë e lartë.
Ndaj, mjalti i hollë e i lëngshëm nuk është gjithnjë tregues i falsifikimit ose i sheqerosjes. Kjo do të thotë se dendësia e mjaltit nuk duhet të jetë gjithnjë vendimtare për pastërtinë ose cilësinë e mjaltit.
Bakteret e kanë të pamundur të riprodhohen tek mjalti falë përbërjes së tij, ndaj natyrshëm lind pyetja përse kompanitë e mëdha e pasterizojnë mjaltin? Pasterizimi është më shumë një çështje marketingu. Disa lloje të mjaltit kristalizohen më shpejt dhe një gjë të tillë konsumatorët e perceptojnë si defekt. Pasterizimi vonon kristalizimin dhe ruan paraqitjen e këndshme të mjaltit të reklamuar nëpër rafte.
Prodhuesit artizanalë të mjaltit në Shqipëri habiten gjithnjë kur i pyet nëse mjalti është puro apo i pasterizuar. Habia qëndron në faktin se mjalti nuk ka nevojë të pasterizohet.
Kuriozitet-A janë të ngrënshme hojet?
Po, hojet janë plotësisht të ngrënshme. Bletët e bëjnë dyllin e tyre nga nektari. Disa njerëz i kafshojnë dhe përtypin hojet duke larguar vetëm dyllin e fortë.(AgroWeb)