Sëmundjet e syve, si mund t’i kuroni
Infeksionet e syve janë një problem i zakonshëm që mund të prekin secilin njeri, pa marrë parasysh gjininë apo moshën. Infeksionet mund të shkaktohen nga bakteret, viruset, alergjitë, që mund të prekin njërin apo të dy sytë.
Por nga se shkaktohen dhe si mund të trajtohen këto probleme?
Infeksioni i qerpikëve (blefaritis)
Ky është një infeksion i qerpikëve të syrit. Nuk është serioz dhe mund të ndalohet me masa ndihmëse. Flisni me mjekun nëse sytë bëhen ngjitës ose nuk pastrohen brenda një jave.
Shenjat: Cepat e syrit janë të kuqe, të infektuara dhe mund të vini re pika qelbi të tharë tek qerpikët.
Trajtimi: Duke përdorur pambuk me ujë të zier me gjysmë luge kripë, pastroni sytë e fëmijës duke nisur nga hunda. Përdorni pambuk të ri sa herë që i pastroni dhe bëjeni këtë çdo mëngjes dhe darkë, derisa të shërohet. Mjeku mund t’ju japë ilaç me pika, nëse ka infeksion.
Infeksioni i membranës që mbulon kokërdhokët e syrit (konjuktivit)
Ky infeksion mund të vijë nga një virus, nga futja e një trupi të huaj në sy dhe një reaksion alergjie. Është shumë ngjitës, kështu që kujdesuni për syrin tjetër nëse nuk është infektuar.
Shenjat: Infeksioni shkakton dhimbje dhe vështirësi për të parë dritat e forta. Kur konjuktivi shkaktohet nga bakteret, mund të ketë qelb në kapakun e poshtëm të syrit. Konjuktivi alergjik shkakton lot dhe qepalla të fryra.
Trajtimi: Pastrojeni mirë syrin me ilaç të përshtatshëm ose me ujë. Duhet të trajtohen të dy sytë, sepse ky infeksion është shumë ngjitës. Kur ka trup të huaj hiqeni me kujdes. Në rastin e një infeksioni të rëndë, mjeku do t’ju japë antibiotikë apo ilaç me pika.
Byci
Kur rrënja e qerpikut infektohet, atëherë në sy shfaqet një fryrje e dhimbshme, plot qelb, në anë të qepallës. Fërkimi i syve mund ta keqësojë.
Shenjat: Në fillim qepalla enjtet pak dhe pastaj mbushet me qelb.
Trajtimi: Megjithëse byci nuk është aq ngjitës, fëmija duhet të përdorë peshqir të veçantë. Mjeku do t’ju rekomandojë antibiotikë dhe kompresa me ujë të ngrohtë.
Sytë e vëngër/strabizmi
Sytë e fëmijës shohin në drejtime të ndryshme, ndonjëherë drejt njëri-tjetrit dhe ndonjëherë në drejtim të kundërt. Deri në tetë javë kjo është normale, por më vonë duhet të flisni me mjekun.
Shenjat: Nëse dyshoni për strabizëm, shikoni sesi reflektohet drita në sytë e fëmijës. Drita duhet të reflektohet nga i njëjti vend në çdo sy, nëse jo, pra nëse sytë janë drejtuar në drejtime të ndryshme, thërrisni mjekun.
Trajtimi: Mbuloni syrin e fortë me një fasho. Kjo do të detyrojë muskujt e syrit të dobët të bëhen më të fortë. Sytë duhet të drejtohen brenda 5 muajsh, megjithëse mund të duhet edhe më tepër kohë. Për fëmijët që janë mbi 1 vjeç, mjeku mund t’ju këshillojë syze.