Sëmundjet e veshkave si epidemi, 10% e popullatës të prekur
Mbi 10% e popullsisë në Shqipëri mbi moshën 30 vjeç kanë dëmtime të veshkës. Shefi i Shërbimit të Nefrologjisë, Myftar Barbullushi thotë se numri i pacientëve që vuajnë nga sëmundjet e veshkës ka pësuar rritje, ndërsa aktualisht janë rreth 1380 pacientë që marrin shërbimin e hemodializës.
Barbullushi: Numri i të sëmurve që kanë nevojë për të zëvendësuar veshkën qoftë në aparat që është hemodializa, qoftë me transplant përbën një rritje të jashtëzakonshme. Kjo do të thotë jetë, cilësi jetese, por edhe buxhet. Nga ana tjetër, nga kontrollet që kemi bërë, shohim që numri i të sëmurve me veshka, me humbje të funksionit të veshkës ka kaluar 10%.
Statistikat e publikuara janë rezultat i analizës së të dhënave të check up ndërsa Barbullushi, shpjegon shkaqet e dëmtimit të veshkave.
Barbullushi: Në themel të sëmundjeve të veshkave është sëmundjet e tensionit, e hipertensionit, diabetit dhe sëmundjet e zemrës.
Për të parandalur këtë sëmundje por edhe për të përballuar numrin e lartë të të prekurve, Barbullushi thotë se nevojitet një specializim i mjekëve të familjes.
Barbullushi: Kemi vendosur që ta zbresim nefrologjinë shqiptare tek mjeku i familjes sepse e dimë që nefrologu nuk ka cfarë të bëjë. Është vështirë ta përballosh këtë. Duhet ndihma i mjekut të familjes.
Për një pacient të prekur nga sëmundjet e veshkave fatura financiare për një vit shkon në 20 mijë euro, kosto kjo e mbuluar nga shteti. Në konferencën e Nefrologjisë të zhvilluar të shtunën, mjekët apeluan qytetarët për kontrolle të vazhdueshme.