Sëmundjet e zemrës, faktorët e rrezikut dhe masat parandaluese
Sëmundje kardiovaskulare quhen sëmundjet që prekin zemrën dhe enët e gjakut. Diagnoza që zë peshën kryesore përsa i përket sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë, është sëmundja artereosklerotike.
Kjo sëmundje prek enët e gjakut që ushqejnë zemrën të cilat quhen arterie koronare, enët e gjakut që ushqejnë trurin dhe enët e gjakut periferike që ndodhen kudo në trup.
Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare mjekja kardiologe, Daniela Teferici në Qendrën Spitalore Universitare ”Nënë Tereza” shpjegon faktorët e rrezikut dhe masat parandaluese për sëmundjet kardiovaskulare.
“Faktorët e riskut që ndikojnë në sëmundjet e zemrës janë faktorë të modifikueshëm siç është diabeti. Një pacient që është me diabet, ka risk shumë më të madh për të patur probleme kardiake. Hipertensioni ka të bëjë me atë që quhet stili i jetesës. Me stil jetese nënkuptojmë pirjen e duhanit, i cili është faktor rreziku për sëmundjet e zemrës, është gjithashtu rritja e kolesterolit, obeziteti dhe jeta sedentare dhe një pjesë të rëndësishme në këto faktor risku e zë dhe mënyra e të ushqyerit”, – shprehet Teferici.
“Pra modifikimi i stilit të jetesës çon në uljen e riskut për shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare. Alkooli është një nga faktorët kryesor që çon në obezitet. Ata që konsumojnë alkool për një periudhë të gjatë, i çon në dëmtim të muskulit të zemrës. Duhet një eliminim i karbohidrateve dhe ushqimeve që kanë yndyra të dëmshme siç janë fast-fudet dhe ato që kanë një stazhionim të gjatë”, – përfundon mjekja kardiologe, Daniela Teferici. /ATA/