Shqipëria kalon “vijën e kuqe” – Ndër 4 vendet më të ndotura në Europë
Shqipëria është një ndër vendet më të ekspozuara ndaj ndotjes së ajrit në Europë, ose më saktë ndaj Pm2.5, që i referohet grimcave ndotëse të ajrit. Më keq se Shqipëria në Europë, janë vetëm Kosova, Maqedonia dhe Bosnje Hercegovina. Këtë gjë e thotë Agjencia Europiane e Ambientit në raportin e fundit për cilësinë e ajrit në Europë. Shqipëria është përtej detyrimit të Bashkimit Europian, që ilustrohet me vijën e kuqe në grafik.
Vendet që e kanë kaluar këtë vijë të kuqe janë të pakta, dhe veç atyre të lartpërmendura, janë edhe Kroacia, Polonia, Serbia dhe Bullgaria. Grimcat Pm2.5 në Shqipëri vlerësohet se shkaktojnë mesatarisht 1400 vdekje të parakohshme në vit. Një tjetër indikator mjaft i rëndësishëm ndërkohë, ai i dioksidit të nitrogjenit që është produkt i drejtpërdrejtë i gazrave që lëshojnë automjetet vlerësohet se shkakton 130 vdekje të parakohshme në vit në vendin tonë.
Edhe indikatori i shtresës së ozonit në tokë, që lidhet ngushtë me emetimin e gazrave të dëmshëm të automjeteve, flet për rreth 70 vdekje të parakohshme në vit. Pra, të dhënat e Agjencisë Europiane të Ambientit tregojnë se Shqipëria është shumë larg detyrimit të vendeve europiane dhe standardit për normat e ndotjes, duke ndezur sirenat e alarmit.