Shqipëria me numrin më të lartë të vrasjeve të grave në Europë, psikologët: Këmbanë alarmi!

Numri i lartë i vrasjeve në Shqipëri të femrave nga meshkujt, duhet të shihet si një këmbanë alarmi për vendin tonë, thonë psikologët, teksa këmbëngulin te rëndësia dhe mbrojtja që u duhet dhënë femrave të dhunuara.

Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të vrasjeve nga partnerët intimë në Europë.

Kjo e dhënë është publikuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Krimet dhe Drogën (UNODC), në një raport të fundit të saj.

Për psikologen Ariana Muça, ky raport duhet të jetë një këmbanë alarmi.

Ariana Muça: Kjo tregon se edhe pse ligji është ashpërsuar përsëri nuk po shohim të ketë një efekt ashtu si ne e presim apo e dëshirojmë, që ky numër të jetë edhe më i ulët.

Ndonëse ligji është ashpërsuar për dënimin e burrave që dhunojnë gratë, psikologia thotë se duhet bërë më tepër për këtë situatë.

Ariana Muça: Të gëzosh të drejta do të thotë që edhe ndarja e pronës midis një burri dhe një gruaje duhet të jetë në mënyrë të barabartë. Nëse kemi një masë kundrejt bashkëshortit, i cili ka dhunuar bashkëshorten atëherë është mirë që ti gjejmë një strehëz. Shikojmë se strehëza ndahet në dy pjesë mes burrit dhe gruas. Edhe pse ai është dhunuesi, një derë i ndan ata të dy.

Raporti i Kombeve të Bashkuara nënvizon se Shqipëria ka nivelin më të lartë të vrasjeve nga partnerët intimë, me 0.7 vrasje për 100 mijë gra, të dhëna këto që i referohen vitit 2016.

Ky është niveli më i lartë në Europë. Pjesa më e madhe e vrasjeve të grave në Shqipëri kryhen pikërisht nga partnerët e tyre.

Shqipëria me numrin më të lartë të vrasjeve të grave në Europë, psikologët: Këmbanë alarmi

/Ora News

 

SHKARKO APP