Shqipëria vendi i pasur i ullinjve, prodhon rreth 20 mijë ton vaj në vit

Prodhimi dhe eksporti i vajit të ullirit po ecën “krah për krah” dhe po njeh rritje progresive nga viti në vit, pavarësisht se me shpejtësi minimale.

Mesatarja e prodhimit të ullirit aktualisht është 90-100 mijë ton ullinj në vit, ndërsa mesatarja e prodhimit të vajit shqiptar është 17-20 mijë ton vaj ulliri në vit.

Ashtu sikurse çdo industri tjetër në Shqipëri e zhvilluar privatisht në dy dekadat e fundit, edhe ky treg ka problem të konsiderueshme, që nga informaliteti, falsifikimi dhe mungesa e lidhjes me tregun. Ndërsa importi dominon fuqishëm tregun dhe konsumin shqiptar me raport rreth 70 me 30 për qind.

Mbjellja dhe prodhimi

Prodhimi i vajit të ullirit varet nga prodhimi që merret në total i ullirit. Shqipëria ka aktualisht 11 milionë pemë ulliri, ku pothuajse ½ çdo vit nuk ka prodhimtari. Pra, zakonisht llogariten gjithmonë rreth 6 milionë pemë në prodhim.

Silvana Subashi, Presidente e Shoqatës Shqiptare së Vajit të Ullirit, si dhe pronare e kompanisë “Subashi” tregon se degradimi i ullishteve ndodh nga mosmirëmbajtja për shkak të migrimit dhe emigrimit apo dhe nga mosmirëmbajtja në mënyrë profesionale që kanë çuar këtë kulturë në alternanca të theksuara prodhimi.

Ndërsa administratori i Fabrikës së Vajit të Ullirit “Borneo” thekson se mbjellja e ullinjve ka rënë në vitet e fundit për shkak se shteti dhe shoqatat nuk kanë bërë punën e duhur për të mbështetur në të gjitha format kultivimin e ullirit.

“Aktualisht në fabrikën tonë prodhohet diku tek 150 mijë litra në vit, bashkë me përpunimin për të tretët”, shprehet Borneo Muka.

Si funksionon tregu

Kultivimi i ullirit dhe prodhimi i vajit të ullirit është i bazuar kryesisht në biznese familjare. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Vajit të Ullirit, Shqipëria ka rreth 450 fabrika përpunimi ulliri për vaj  dhe nga këto vetëm 2/3 janë të regjistruara.

“90% e këtyre fabrikave punojnë si shërbim për të tretët, domethënë ata përpunojnë ullirin që sjell fermeri kundrejt një pagese dhe fermeri merr përsëri vajin e tij për konsum familjar apo për shitje. Kështu shumica e vajit të ullirit të prodhuar në Shqipëri shitet direkt nga fermerët tek konsumatorët (në këtë rast janë familjarë por dhe biznese, si restorante etj)”, shpjegon Silvana Subashi.

Sipas saj, një pjesë tjetër e fabrikave të përpunimit të ullirit, bëjnë përpunim për të tretet por njëkohësisht kanë krijuar dhe një markë të tyren për shitjen e vajit të ullirit në treg. Ndërsa një përqindje thuajse e pandjeshme, dalin në treg me markën e tyre.

“Një pjesë shumë e vogël, rreth 2% e fabrikave të përpunimit të ullirit punojnë tërësisht për prodhim të vetin dhe daljen në treg me markën e tyre. Vitet e fundit ka dhe biznese të cilat bëjnë vetëm ambalazhim produkti”, shprehet znj. Subashi.

Problemet që prekin ullirin

Prodhuesit e vajit të ullirit vënë theksin tek problematika kryesore që ka tregu, duke bërë që industria të mos zhvillohet me ritmet e duhura dhe si e tillë të mos jetë e pranishme në tregjet ndërkombëtare me po të njëjtin ritëm si marka të tjera të vendeve të ndryshme.

“Tregu i vajit të ullirit ashtu sikundër në të gjithë botën është një treg me anomali të theksuara. Është një ndër produktet me të falsifikuara në të gjithë botën, sikundër dhe në Shqipëri. Është një treg ku informaliteti dhe manipulimi dominon”, shprehet Silvana Subashi, administratore në Fabrikën e Vajit të Ullirit “Subashi”. Po ku “fshihet” konkretisht infomaliteti dhe manipulimi? Prodhuesit e gjejnë atë në: Hyrjen e vajrave të ullirit nga pikat kufitare pa deklarim nëpër dogana dhe shitje nën dorë; Hyrjen e vajrave të ullirit nëpër dogana me datë skadence shumë të afërt dhe paketimi e shitja e tyre si vaj shqiptar; Mospërputhje të produktit që tregtohet me etiketimin e vendosur; Gjenden etiketa të produkteve vaj ulliri që nuk kanë përputhshmëri ligjore; Shitje të vajit të ullirit online nga persona të paautorizuar; Tregtimin e vajit te ullirit direkt nga fermeri, të pakontrolluar dhe në kushte higjienike të papërshtatshme. Këto janë disa nga trazimet që u bëhen prodhuesve të ndershëm dhe konform ligjit.

Kërkesa për konsum

Qytetarët shqiptarë kanë filluar të ndërgjegjësohen dhe të pranojnë të paguajnë pak më shumë, duke zgjedhur të kenë në tryezat e tyre vajin e ullirit, vlerat shëndetësore të të cilit janë të njohura gjerësisht. “Kërkesa për konsum ka ardhur çdo vit në rritje. Ne nga një vend me konsum 3.5 litra/person në vit, tani jemi në gati 5 litra në vit. Kërkesa për vaj ulliri është në rritje edhe pse është yndyra më e shëndetshme dhe produkti më i përmendur nga të gjitha llojet e dietave”, thekson znj. Subashi.

Faktin e ndërgjegjësimit e pranon edhe administrator i fabrikës “Borneo”, por sërish shprehet i pakënaqur me shifrat e konsumit.

“Kërkesa në treg është e ulët, për shkak të produkteve false që ndodhen në vend. Vaji i ullirit ka proces mekanik, nuk mund të krahasohet me asnjë nga vajrat e tjerë që kalojnë lloj-lloj rafinerie. Gjithsesi njerëzit kanë filluar dhe ndërgjegjësohen”, shprehet Borneo Muka.

Kategoritë, kostot dhe çmimet

Vaji i ullirit që prodhohet në vend ofrohet në disa cilësi, për t’iu përgjigjur kërkesave të konsumatorëve, por edhe xhepit të tyre. Kategoritë fillojnë nga vaj ulliri, vaj ulliri i virgjër dhe ekstra i virgjër.

“Kosto e vajit të ullirit në treg cilësia e parë ekstra i virgjër është rreth 1 mijë lekë/litri, cilësia e dytë “i virgjër”, shitet mesatarisht 800 lekë/litri dhe vaj ulliri i thjeshtë tregtohet rreth 600 lekë/litri. Nga të gjitha llojet preferohet kategoria e tretë sepse është jo pikant dhe konsumatori e quan vajin jo pikant që ka aciditet, ndërkohë aciditeti nuk dallohet me degustim, por me analiza. Mbreti është “ekstra i virgjër” dhe drejt kësaj kategorie po e orientojmë tregun”, thekson  Borneo Muka.

Në supërmarketet dhe dyqanet shqiptare gjen dhjetëra marka të huaja

“Industria e vajit të ullirit përfshin disa lloj kategori nga me cilësori deri tek me ekonomiku. Vaj ulliri vendas dhe vaj ulliri importi. Vaji i ullirit më cilësor është ai ekstra i virgjër dhe organik shqiptar, që shitet tashmë nëpër dyqane tipike apo direkt nga prodhuesit. Të gjithë supermarketet dhe marketet kanë 2-5 lloje të ndryshme markash shqiptare në raftet e tyre dhe deri në 10 lloje të ndryshme markash të huaja; me kategorizime që varjojnë nga Ekstra i virgjër; i Virgjër; Vaj Ulliri, Vaj Bersie i Rafinuar, Vaj Ulliri i Rafinuar”, shpjegon znj.Subashi.

Cilësia dhe “balta”

Edhe në këtë produkt, siç ndodh rëndom në produkte të tjera, mungesa e besimit për cilësinë që ofrohet është në nivele të larta. Kjo edhe për shkak të falsifikimeve të shumta, që pranohen edhe nga vetë prodhuesit, që në një farë forme, i bën “pa faj” konsumatorët.

“Kohët e fundit është sulmuar industria e ndershme. Industritë e falsifikimit bëjnë ligjin dhe konfuzojnë njerëzit për çmim dhe cilësi. Ne që prodhojmë 100 për qind vaj ulliri e kemi ndarë mendjen dhe kështu do vazhdojmë, ama me cilësi nuk bëhet asnjë bos,” ngre shqetësimin Borneo Muka. Por edhe në këtë pjesë, prodhuesit shqiptarë shprehen se produktet vendase nuk trajtohen njësoj si ato të huaja, ndërsa garantojnë cilësi maksimale.

“Tregu jonë ka vaj ulliri shqiptar, por më i shumti që qarkullon nëpër markete është vaj ulliri i huaj. Nga sondazhet e bëra si nga mediat apo dhe autoritetet e kontrollit ushqimor ne nuk shikojmë asnjë shishe të huaj të analizuar apo të penalizuar. Nëse ne do të flasim për kosto produkti vaji ulliri në bazë të cilësisë, për mua është e pakuptimtë. Arsyeja është shumë e thjeshtë: Konsumatori po paguan me çmime të shtrenjta për vajra ulliri ekstra të virgjër që nuk ka lidhje me vajin e ullirit. Pra, diferencën në treg nuk na e bën çmimi”, thekson Silvana Subashi, Presidente e Shoqatës Shqiptare së Vajit të Ullirit.

Mbështetja me subvencione

Nga objektivi i vendosur në vitin 2012 për 5 mbjelljen e 50 milionë rrënjë ullinj, me qëllim shfrytëzimin e natyrës dhe prodhueshmërinë e tokës shqiptare që e bën tërësisht të lehtë kultivimin, sot jemi shumë larg. Vitet e fundit, subvencionet shtetërore nuk e kanë pasur prioritare mbështetjen e kësaj kulture.  Znj.Subashi shprehet se mbjellja e ullirit ka qenë pjesë e subvencioneve deri në vitin 2012 dhe është rikthyer këtë  vit, ndërsa thekson se shtimi i rrënjëve të ullinjve është një domosdoshmëri për vendin tonë. “Pranë Ministrisë së Bujqësisë është dhe një projekt ASDO, për të cilin ka shumë vite që po flitet por që mbetet gjithmonë në fazën e vlerësimit. Ky projekt po merret dhe me përcaktimin e një strategjie për industrinë e ullirit dhe vajit të ullirit”, bën me dije znj. Subashi.

Vëmendja që kërkohet nga qeveria

Si çdo industri në zhvillim, edhe ajo e prodhimit të vajit të ullirit kërkon më shumë mbështetje përmes politikave qeveritare në mënyrë që ti jepet një dorë për të ecur përpara. Prodhuesit evidentojnë si shqetësim favorizimin e disa bizneseve kundrejt disa të tjerëve dhe konkretisht e lidhin këtë me dhënien e fabrikave pa kriter nga AZHBR, duke i dhënë përparësi bizneseve të cilat janë ngritur vetëm disa muaj para aplikimit, dhe jo në bazë të një studimi mbi nevojën e zonës për fabrikë përpunimi ulliri.  Mungesa e rafinerisë është një tjetër shqetësim.

“Problemi më i madh i prodhuesve të shoqatës është se Shqipëria nuk ka rafineri të vajit të ullirit dhe as fabrikë për prodhim sapunësh. Kjo domethënë që i gjithë vaji i ullirit i rafinuar që qarkullon në treg dhe ai që duhet për industritë e ndryshme nuk është vaj ulliri i rafinuar shqiptar por dhe që vaji i skaduar qarkullon përsëri për konsum njerëzor. Si rregull, kur skadon vaji i ullirit është detyrim të kalojë për rafinim për konsum njerëzor”, thekson Silvana Subashi, Presidente e Shoqatës Shqiptare së Vajit të Ullirit. Ndërsa për z.Muka problem kryesor i kësaj industrie është shteti! “Lufta jonë është me produktet që bëhen nga laboratorët, jo nga pemët”, shprehet ai.

Importi dominon tregun

Markat e huaja janë dominante në tregun shqiptar të konsumit sa i takon vajit të ullirit dhe më konkurruese në çmime e marketim. Në të gjitha njësitë tregtare të produkteve ushqimore mund të dallosh lehtësisht numrin e lartë të markave ndërkombëtare në raport me ato shqiptare. Por, përpos njësive tregtare këto produkte, janë më dominante edhe shërbime.

“Edhe në industritë që përdorin këto produkte, si restorante, produkte peshku të konservuara etj, importi është më dominant”, thekson znj.Subashi. Dominanca në markete ndodh edhe për shkak të pafuqisë së shumë prodhuesve shqiptarë për të dalë në treg.

“Personalisht nuk kam asnjë kontratë me supermarketet. Në radhë të parë, të marrin produktin dhe s’kanë për të të likuiduar dhe në radhë të dytë, s’na del kosto për ta nxjerrë në markete. Ne shesim me porosi. Kemi për 15 vjet klientelë fikse dhe ju shërbejmë me përkushtim, cilësi dhe korrektësi”, shprehet Borneo Muka.  Gjatë vitit 2017 janë importuar në total 1023 tonë vaj ulliri, me vlerë 548.5milionë lekë.

Dalja në tregjet e huaja

Megjithë vështirësitë që ka kjo industri, mungesën e marketimit, infomalitetin, ia ka dalë të jetë në tregjet e huaja edhe pse në shifra minimaliste. Gjatë vitit 2017 janë eksportuar 113 tonë vaj ulliri, me vlerë 42.4 milionë lekë. Dhe lajmi i mirë është dyfishimi në sasi, krahasuar me vitin 2016, ku janë eksportuar vetëm 50 tonë, çka tregon tendencën rritëse të eksporteve të këtij produkti. Prodhuesit konfirmojnë se kërkesa në tregjet e huaja është e lartë, për shkak të cilësisë.

“A është i kërkuar? Sigurisht! Është një ndër produktet për të cilat Shqipëria duhet të krenohet. Nëpër të gjitha llojet e panaireve apo konkurseve ku ne marrim pjesë, vaji i ullirit ekstra i virgjër shqiptar është shumë i vlerësuar. Ne na mungon shume qëndrueshmeria e prodhimit dhe ndryshueshmëria nga viti në vit. Kjo për shkak se ullishtet tona janë të pamirëmbajtura dhe nuk trajtohen për mbrojtjen nga sëmundjet (qoftë në mënyrë konvencionale, qoftë biologjike)”, shprehet znj.Subashi. Ndërsa një arsye tjetër që pengon eksportin e këtij produkti, është se vaji shqiptar i ullirit “ekstra i virgjër” duhet të ketë dhe certifikime shtesë për kostot e larta që ka.

“Për shembull ato organike, apo monovarietore apo të indikacionit gjeografik, apo vaj ulliri ekstra i virgjër nga pemë mijëra vjeçare, etj. Që edhe për eksport të kemi treg specifik me çmime të larta”, argumenton ajo. Presidentja e Shoqatës Shqiptare të Vajit të Ullirit preferon më së shumti të quajë eksport konsumimin e këtij produkti nëpër agroturizme, bujtina apo restorante turistike. Pasi sipas saj, më parë prodhuesve u duhet të krijojnë një imazh pozitiv të produktit “Made in Albania”, si një mënyrë për t’i bërë këta turistë mesazherë të cilësisë së këtyre produkteve.

Ku duhet të përqendrohen politikat qeveritare?

Shoqata Shqiptare e Vajit të Ullirit kërkon që vëmendja e qeverisë për industrinë e vajit të ullirit të fokusohet në:

-Shtimin e numrit të rrënjëve të ullirit dhe rehabilitimin e ullishteve joprodhuese.

-Stimulimin e prodhimit të vajit më cilësor ekstra i virgjër nëpërmjet politikave stimuluese.

-Stimulimin e prodhimeve vendase me indikacion gjeografik.

-Rritjen e imazhit të prodhimit “Made in Albania

-Kontrollin e vazhdueshëm në treg të vajit të ullirit si për informalitetin ashtu edhe për manipulimin.(scan)

SHKARKO APP