Shqiptarët heqin dorë nga cigarja

Pirja e duhanit ka rënë nga 43% e popullsisë së rritur në 2008 në 35% më 2018 në meshkujt e moshës 15-49 vjeç, teksa është rritur me 1 pikë përqindje pirja e cigares tek femrat për të njëjtën periudhë, sipas një anketë të INSTAT të zhvilluar më 2018 në lidhje me faktorët e riskut që cenojnë shëndetin e popullatës.

Mirëpo siç shihet nga të dhënat zyrtare, importet e cigareve janë ulur disa herë më shumë se numri i duhanpirësve. Gjatë periudhës 2010-2017, importi i cigareve ra me 31 për qind, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, ndërsa numri duhanpirësve është ulur vetëm më 7%, duke sinjalizuar kështu zhvendosjen e konsumit drejt duhanit të dredhur.

Rezultatet e anketës tregojnë se pirja e duhanit e cigareve është më e zakonshme në moshën 30-34 vjeç, meshkujt (44%) dhe gratë (7%). Cigarja pihet më shumë në zonat urbane (38% burrat dhe 7% gratë) se në zonat rurale (32% burrat dhe 2% gratë.

Mes meshkujve, përqindja e duhanpirësve zvogëlohet ndjeshëm me nivelin arsimor. 58% e personave me arsim fillor pinë cigare, ndërsa vetëm 31% e personave me universitet tymosin cigare. Ky krahasim nuk vlen për gratë, pasi pirja e duhanit nis e rritet me nivelin arsimor.

Në mesin e meshkujve përqindja e duhanpirësve ndryshon gjerësisht në prefektura, nga 23% në Korçë dhe 26% në Kukës, në 42% në Tiranë dhe 45% në Vlorë.

Në mesin e grave, përqindja e duhanpirësve rritet me pasurinë e familjes, nga 3% në kuintilin më te ulët në 8% në atë më të lartë, por ky modeli nuk vlen për meshkujt.

Duhanpirësit meshkuj kanë tendencë të pinë duhan më tepër se femrat. Rreth 23% e duhanpirëseve meshkuj të moshës 15-49 vjeç raportojnë se pinë më shumë se 25 cigare në ditë, krahasuar me vetëm 3% të duhanpirësve femra.

Pirja e duhanit e cigareve është një nga burimet më të mëdha të sëmundshmërisë së parandalueshme dhe vdekshmërisë së parakohshme. Kanceri i mushkërive është shkaku kryesor i vdekjes qe shkaktohet nga pirja e duhanit.

SHKARKO APP