Shqiptarët në dietë?! Importi i sheqerit më i ulëti në 7 vite

Anketa e INSTAT zbuloi se obeziteti po përhapet te shqiptarët për shkak të kequshqyerjes dhe mungesës së aktivitetit fizik. Mirë po në 2018-n importet e sheqerit dhe të ëmbëlsirave të bëra prej tij pësuan rënie për herë të parë pas vitesh me rritje. A po ndryshojnë shqiptarët stil jetese?!

Sipas të dhënave të nxjerra prej INSTAT në 2018-n u importuan rreth 55,600 tonë sheqer me një rënie prej 34% në krahasim me një vit më parë. Ky ishte niveli më i ulët i importuar i sheqerit prej vitit 2010. Në total në vitin 2018 sasia e importuar e sheqerit ka një vlerë prej 3.3 miliardë lekë apo 26.4 milionë euro.

Në ndryshim nga 2018-a, importet e sheqerit kishin shënuar rritje të vazhdueshme në vitet e fundit. Një vit më parë u importuar rreth 83,880 tonë sheqer dhe ëmbëlsira të bëra prej tij në Shqipëri.

E ndërsa importi i sheqernave rritej të dhënat nga një studim i fundit i ISHP në bashkëpunim mbi INSTAT mbi shëndetin e popullatës tregonte se sëmundjet që vinin prej kequshqyerjes ishin në nivele të larta.

Sipas anketës së INSTAT rreth 45% e femrave dhe 53% e meshkujve në moshën 15-49 vjeç ishin mbipeshë ose obezë. Gjysma e femrave të moshës 15-49 vjeç kanë peshë normale, 4% janë të dobëta dhe 45% janë mbipeshë ose obeze.

Arsyet kryesore të përhapjes së obezitetit te burrat dhe gratë në Shqipëri ishin kequshqyerja dhe mungesa e aktivitetit fizik.

Sipas anketës shqiptarët janë konsumues të rregullt të pijeve me sheqer. Për të vlerësuar nivelin e konsumit të pijeve me përmbajtje të lartë të sheqerit, të anketuarit u pyetën nëse kishin pirë lëngje të buta me sheqer të shtuar 7 ditë para sondazhit. Ndër femrat e moshës 15-49 vjeç, 25% kishin pirë 1 ose 2 pije të buta, 32% kishin pirë 3 deri në 6 nga këto pije, 6% kishin pirë 7 ose më shumë dhe 36% raportuan se nuk kishin pirë pije me sheqer gjatë 7 ditëve të fundit.

Ndërkohë që ato konsumojnë shumë pak perime, vetëm 37% e grave dhe 14% e burrave i konsumojnë rregullisht.

Por edhe mungesa e aktivitetit fizik ndikon në përhapjen e obezitetit te popullata. Sipas anketës së realizuar rreth 80% e shqiptarëve nuk kryejnë asnjë aktivitetet fizik./Monitor

SHKARKO APP