Shurupi që kuron aneminë, reumatizmin dhe gurëve në veshka
Lëpjeta është një nga bimët më miqësore në kuzhinën shqiptare, e përdorur gjerësisht në përgatitjen e byrekëve të shtëpisë. Ajo rritet në natyrë të egër ose kultivohet në bahçet apo kopshtet e shtëpive. Ende në Shqipëri, kjo bimë fantastike për të mirat që i sjell shëndetit nuk po njeh kultivimin masiv nëpër ferma. Në përdorimet medicinale, lëpjeta është e njohur për vlerat e saj kurative. E pasur me vitamina dhe minerale, lëpjeta është e njohur për aftësitë e saj shëruese në lidhje me reumatizmën apo gurët në veshka. Por ka dhe një veti tjetër, që e vë lëpjetën në top listën e përdorimit të bimëve medicinale për kurimin e anemisë, një sëmundje që prek një pjesë të mirë të popullsisë shqiptare. Bëhet fjalë për rrënjët e lëpjetës. Ato janë të vështira për t’u gjendur dhe shumë të shtrenjta për t’u blerë në tregjet botërore, megjithëse ekzistojnë në sasi të limituara. Për shkak të vlerave të tyre në pastrimin dhe rigjenerimin e gjakut, rrënjët e lëpjetës janë ilaçi kryesor si katalizator për sa i përket balancimit të nivelit të hekurit në gjak, mungesa e të cilit është një nga shkaqet kryesore të shfaqjes së anemisë. Për shkak të nivelit të lartë të hekurit në rrënjët e saj, ato përdoren gjerësisht në botë në parandalimin por edhe trajtimin e anemisë. Sipas ekspertëve të AgroWeb.org, hekuri në rrënjët e lëpjetës ka një ndikim vital në qarkullimin e gjakut dhe furnizimin e tij me këtë lëndë ushqyese që nxit energjinë dhe shmang ndjesinë e lodhjes apo këputjes. Një tjetër përdorim i rëndësishëm i lëngut të përftuar nga rrënjët e lëpjetës është edhe ai për pastrimin e organizmit nga helmet. Nga ana tjetër, ekspertët rekomandojnë pirjen e çajit të lëpjetës për të ulur tensionin e gjakut, veçanërisht tek pacientët që vuajnë edhe nga diabeti i tipit-2. Studimet kanë treguar që nëse pini dy ose tre filxhanë çaj lëpjete në ditë do të arrini të ulni nivelin e tensionit të gjakut në mënyrë të ndjeshme. Shkencëtarët kanë identifikuar elementin përgjegjës që arrin të ulë tensionin e lartë të gjakut. Bëhet fjalë për anthocianinën që gjendet në sasi të larta tek lëpjeta. Vetë lëpjeta si bimë është e pasur me vitamina A, B9 dhe vitaminë C. Lëpjeta është një burim i pasur i mineraleve si potasi, magnezi, sodiumi, hekuri dhe kalciumi. Disa prej përbërësve biologjikë të lëpjetës janë efikas në trajtimin dhe parandalimin e një sërë sëmundjeve si: tensioni i lartë, diabeti dhe sëmundjet e zemrës.
Si përgatitet
Shurupi i Rrënjëve të Lëpjetës
-60 gr rrënjë lëpjete
-4 lugë të mëdha me mjaltë
Në një kavanoz me një litër ujë të valuar hidhen rrënjët e lëpjetës dhe lihen të mbyllura për 7 deri në 8 orë. Zakonisht lihen gjatë natës. Më pas, masa vihet në zjarr të ngadaltë derisa nis të marrë valën e parë dhe uji nis të avullojë dhe të mbetet në nivelin e 250 ml, në këtë kohë hedhim mjaltin, përziejmë masën dhe e heqim nga zjarri. Shurupin e përftuar e hedhim në një kavanoz, e lemë të ftohet dhe e ruajmë në frigorifer. Preferohet të konsumohet në masën e dy lugë gjelle në ditë. Por, po sipas preferencës dy lugë të shurupit të rrënjëve të lëpjetës mund të hollohen në një filxhan mesatar e të konsumohen në formën e çajit