“Si sardele na trajtojnë dhe për këtë të protestojmë…”
Fejton nga Thoma Goga – Ka qenë një këngë e njohur në kohën e rinisë time. “Në autobus ne udhëtojmë,/Njëri – tjetrin shikojmë…”. Ishte këngë e festivaleve tona. Po në kushtet e sotme çfarë nuk shohim e çfarë nuk dëgjojmë. Kur hipim në autobusat e metropolit tonë, njerëzit qëndrojnë si sardele. Fatorinua, një trashaluq që mezi çan pasagjerët, thërret:
– Lekët, lekët…
Po atë çast një djalosh ia pret.
– Ore zotëri, mirë e ke ti, po ka shumë mundësi që unë ta fus dorën te xhepi komshiut. Jo, se kështu e kam më lehtë…
Dhe fatorinua bën sikur nuk dëgjon e bërtet:
– Po mbërrijmë te stacioni i shqiponjës. Pasagjerët të bëhen gati.
Këtu kishte ca të drejtë fatorinua. Me atë ngjeshje ku na ra fati, nuk e dinte njeri ku ishim dhe ku shkonim. Po edhe ata udhëtarë që pak e njohin Tiranën, shohin rrotull për ndonjë shqiponjë. Ëhë, s’ka më shqiponjë. E kishte mirë poeti “Shqiponjat fluturojnë lartë…”.
Sikur të mos mjaftonte kjo, një burrë flet në telefon. Po zëri i tij s’kishte nevojë për megafon.
– O Gjelosh, si ke njeh? Aa mujte, or’ tëj. Si i ke robt e shpajs’, bre? Ne mëjr’ jena. Edhe tata pështoi. Mbrëmë ka fjet e ka pjerdh tan’ natën… Hajt, mor thashë, të marr’ ni herë në telefon se ti më ke marrë di herë. Shiqir që na punojnë kto vegla, or tëj…
Shyqyr, thashë dhe unë, që s’e kishim edhe “tatën” në autobus, se ku t’i gjenim kontragazet…
Një vajzë bukuroshe më liroi vendin. E falenderova vajzën e kulturuar, sepse kjo ndodh rrallë në autobusat e metropolit. Po ky ishte fati im. Ka vajza e djem të rinj që zënë nga një sedile dhe hapin “faqebukun”. Pastaj shtrihen e marrin formën e çibukut… Dhe kjo ka filluar të ndodh që kur “Edukata qytetare” në shkolla u zëvendësua me “Edukatën seksuale”…
Nejse. Po ta dini ju sa e mallkova veten që u ula. Pse? Po duroni mo, se do ta rrëfej nashti! Përballë ishte një grua e moshuar. Nga e folura dukej nga jugu. Filloi nga “intervista”.
– Nga të kemi, zotrote? I martuar, je?
– Ja si thua zotrote, të dukem si beqarë…, – I ktheja hera – herës ndonjë përgjigje me romuze.
– Jo, kështu qënke marshallah…Po gruan nga e ke marrë? Sa fëmije ke? Me kë parti je?
– Jam me komunistët e “Ballit” …, – Se mos e dinte ajo ç’do të thoshte kjo.
– Ke dalë në pension?
– Njeriu del në pension kur nuk i punon truri,- më erdhi në mend kjo shprehje psiko-fiziologjike.
– Edhe kur nuk i punojnë “veglat” e tjera, – shtoi plaka, ashtu llapa-llapa dhe qeshi. E kuptova ku ma vërviti llafin që ma ngjeshi.
– Edhe unë jam në pension.
– Filloi të “zbërthehej” ajo.
– Kam dy çuna të martuar. Nuset i kam flori. Flori e shkuar floririt. Ajo e madhja më thotë: ”Mama, mos ha shumë”. E vogla është më bujare. “Ha, ha, më thotë, se të bën mirë…”.
– Edhe ato mirë të paskan thënë, -ia prita dhe u ngrita.- Po afrohej stacioni im. Fatorinua bënte detyrën, duke çarë njerëzit- “sardele”. “Ju kujtomë se jemi në stacionin e…”. Po kur kaluam stacion e trenit, fatorinua e ngriti zërin edhe më shumë.
– Hajd, kush është për te “burgu” të zbresë.
Atë çast ia priti njëri nga mesi i autobusit-vagon.
– O vëlla, dje dola nga burgu. Do më çosh prapë në burg. Nuk gjen një fjalë tjetër…
Dhe këtu kishte të drejtë qytetari. Aty afër është një shkollë e njohur teknike, që në gjuhën popullore i thoshin “politeknikumi”. Po fatorinon trashaluq, siç duket kishte mall për një çikë burg.
Nuk e di se si m’u kujtua koha “e trenit”. Udhëtonim një herë e një kohë, kur treni kishte 15 a 20 vagona. Në çdo stacion nga qendra e zërit njoftohej se po mbërrinim në stacionin e radhës: “Ju kujtojmë plaçkat”. Në fakt ky fatorinoja do bënte mirë të na kujtonte “plaçkat” e barkut, që po na “këndonin” dhe mallkonin… Mallkonin sepse, kur kaluam te diga e liqenit, nja 5-6 autobusa të së njëjtës linjë, rrinin si në ekspozitë. Mbase i donte bashkia për reklamë…
Zbrita dhe unë. Jo për “në burg”, po për tek politeknikumi. Duke ecur nëpër trotuar, m’u kujtua prapë ajo kënga me të cilën nisa këtë fejton.
“Në autobus ne udhëtojmë,
Njëri- tjetrin shikojmë… “.
Vetëm se kësaj kënge i shtova edhe nja dy vargje nga “thesi” im:
“Kot që rrojmë, se nuk shohim e dëgjojmë,
Dhe për këtë të protestojmë…”