Si ta kultivojmë mendrën në shtëpi
Është aromatike, rritet shpejt, është e gjelbër dhe iu shton shijen frutave, perimeve dhe mishit. Kjo erëz i jep gjithashtu aromën e saj edhe akullores. Shumë prej jush mund ta kenë rritur vetë bimën e mendrës në shtëpi, në kopsht apo në ndonjë vazo lulesh, por ka dhe nga ata që mbase mund të mos e kenë bërë një gjë të tillë, por mund ta bëjnë.
Ja çfarë duhet të bëni dhe çfarë nuk duhet të bëni nëse keni mbjellë mendër në shtëpinë tuaj:
Nëse po krijon një kopsht erëzash, mendra është fantastike për ta kultivuar. Rritet lehtësisht dhe është vërtet shumë e këndshme për ta shtuar në shumë receta dhe për ta bërë pjesë të vaktit tuaj në mëngjes, në darkë apo në ëmbëlsira. Ju mund t’i shtoni mendër edhe një gote me ujë apo çajit të ftohtë në një mbasdite vere të nxehtë.
Edhe pse mendra rritet lehtë, rrënjët e saj, të cilat janë quajtur “vrapuese” janë tepër pushtuese: ato rriten shpejt duke çliruar gjethe dhe bimë të reja. Mendra do të përhapet shumë shpejt dhe do t’iu ‘pushtojë’ të gjithë hapësirën në qoftë se nuk jeni të kujdesshëm.
Pra, lexoni se çfarë duhet të (mos) bëni nëse po rrisni mendër në kopsht apo në ballkon.
Çfarë të bëni
Kur zgjidhni vendin se ku do ta vendosni mendrën tuaj gjeni një vend ku bima do të marrë diellin e mëngjesit dhe hije të pjesshme gjatë mbasdites. Mbilleni në një enë apo vazo në oborr. Kur e mbillni në lulishte, së pari futeni vazon (ose një tenxhere, një qese rrjetë apo çfarëdo ene qoftë, të paktën 13 cm thellë), duke i lënë buzët mbi nivelin e tokës. Përndryshe, barishtet do përhapen në të gjithë kopshtin tuaj dhe do të krijojnë një lloj lëndine të gjelbëruar.
Mblidhni kërcejtë e mendrës përpara luleve të bimës. Për të zgjatur sezonin e vjeljes, këpusni sythet e bimës sapo të shfaqen. Nëse mbillni mendër në lulishte përdorni materiale në tokën e mbjellë për ta rrethuar mendrën dhe për të mos lejuar që të përhapet shumë.
Vendosini bimët e mendrës në tokë 38 cm larg njëra-tjetrës dhe rrallojini dhe shpërndajini ato rregullisht.
Nëse mbillni mendër brenda në shtëpi vendoseni në një vazo apo enë, ku të marrë dritë të mirë në mëngjes, por edhe të jetë larg nga elementë të ngrohjes që e thajnë.
Çfarë të mos bëni
Nuk duhet të mbillni mendër në një shtrat të hapur pa e kufizuar atë. Nëse mbillni mendër në lulishte duke përdorur një tenxhere zhytur në tokë, sigurohuni që ena nuk është e plasaritur. Degët e mendrës do të gjejnë rrugën e tyre përmes të çarave të eës dhe do të vazhdojnë të përhapen. Mos e mbillni mendrën në vende ku ka shumë lagështi dhe ku nuk do të thahet./Shija.al/