Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” me Shërbim të ri Hemodinamike
Tiranë, 08/09/2015 – Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” do të ketë tashmë shërbimin e vet të specializuar të Hemodinamikës. Lajmi u bë i ditur gjatë vizitës që Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, zhvilloi sot (08/09/2015) në këtë qendër spitalore universitare me rastin e vënies në punë për herë të parë përveç QSUT-së, të qendrës së dytë publike në vend për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve kardio-vaskulare.
Përveç se përmbushim një angazhim të rëndësishëm programor për këtë shërbim, por përgjithësisht edhe për sëmundjet kardiovaskulare si grup-sëmundjet me barrën më të rëndë të sëmundshmërisë shqiptare me një një fokus të veçantë në Programin e Qeverisë, tha midis të tjerash Ministri Beqaj në takimin me drejtues, mjekë e punonjës të kësaj qendreje spitalore, në këtë mënyrë, ne zgjerojmë mundësitë për ofrimin e këtij shërbimi në institucionet tona publike, të financuara me paratë publike, përveç dy njësive ekzistuese të hemodinamikës në QSUT. “Që nga fillimi i vitit, këtë shërbim e financojmë edhe në institucionet jopublike, tashmë i shtojmë edhe këtë kabinet, që është këtu në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, – tha më tej kreu i shëndetësisë.
Për Prof. Asc. Dr. Perlat Kapisyzi, njëherësh edhe drejtor i SU “Shefqet Ndroqi”, vënia në funksionim e këtij shërbimi vjen në vazhdën e transformimeve që po bëhen në këtë spitali universitar, dikur Sanatoriumi, për ofrimin e shërbimeve më të zgjeruara dhe shndërrimin e tij nga një spital i sëmundjeve të mushkërive, në një qendër spitalore universitare të sëmundjeve të brendshme. “Hapja e shërbimit të hemodinamikës, proçedurave invazive të koronarografisë dhe stent-eve, do të ngrejë më lart performancën e shërbimit të spitalit tonë, dhe ndjehem vërtet mirë, që së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, ne arritëm të realizojmë një nga premtimet e Kryeministrit Rama” – tha Dr. Kapisyzi.
Gjithashtu, edhe Prof. Dr. Artan Goda, i pranishëm në këtë takim theksoi se ky është një lajm shumë i gëzuar, pasi për herë të parë diversifikohet sektori publik në disa njësi, dhe kjo është në vazhdën e konsolidimit të mëtejshëm të ndërhyrjeve koronare në vendin tonë në të dy sektorët, atë privat dhe atë publik, duke i dhënë zgjidhje këtij problemi për shqiptarët, të cilët s’kanë nevojë të shkojnë askund, pasi këto lloj ndërhyrjesh zgjidhen tërësisht, në çdo element, në vendin tonë.
“Megjithë rritjen eksponenciale të numrit të ndërhyrjeve koronare me të gjitha sëmundjet e zemrës muajt e fundit,” – tha më tej Dr. Goda, “pritet që ky numër të vijë duke u rritur si kërkesë dhe ne duhet t’i përgjigjemi kërkesave në rritje edhe në vendin tonë, si në të gjitha vendet e botës. Në këtë vazhdë është edhe kjo nismë, ne kemi tashmë një qendër të re hemodinamike, me njerëz të apasionuar, të specializuar, të cilëve u uroj sukses në rezultatet në të ardhmen”.
Duke folur për zgjerimin e mundësive të financimit me para publike për krijimin e një qëndreje të dytë publike, e cila përtej zgjerimit të ofertës, krijon edhe mundësinë për më tepër konkurencë profesionale dhe më shumë zhvillim, z. Beqaj u shpreh i bindur se “ajo çfarë mund të arrijmë vitin e ardhshëm, që do të jetë viti i plotë, do të jetë plotësimi i rreth 20% të nevojave me këtë shërbim, duke marrë parasysh QSUT-në, këtë shërbim, financimin tek privati, dhe padyshim, edhe kabinetin që do të duhet ta hapim në Spitalin Rajonal të Shkodrës”.
Me funksionimin e plotë të këtij shërbimi, pritet që vitin e ardhshëm të realizohen nga ky spital rreth 1/5 e vëllimit të ndërhyrjeve të kardiologjisë mini-invazive që do të financohen me para publike, duke plotësuar kështu, gamën e shërbimeve dhe funksioneve që ky spital universitar ofron për pacientët shqiptarë. “Hapja e këtij shërbimi, e plotëson profilin e këtij spitali, si spital universitar i përgjithshëm, jo vetëm për sëmundjet e mushkërive, siç jemi mësuar normalisht,” – tha z. Beqaj, duke falënderuar drejtuesit e spitalit që e bën të mundur fillimin e funksiopnimit të këtij shërbimi, si dhe drejtuesit e shërbimt universitar të QSUT-së për mbështetjen profesionale që i dhanë këtij procesi.
Me Aktin Normativ të Këshillit të Ministrave të miratuar më 29 korrik 2015 lidhur me shtesën e buxhetit për investimet e reja në shëndetësi, janë dhënë financime të rëndësishme dhe pajisje diagnostike për sëmundjet e brendshme që do të vihen në funksionim në fillim të vitit të ardhshëm, si edhe në fazën e tretë të investimeve, në punime ndërtimore, në mënyrë që të kemi në fillim të 2017-ës, këtë spital të kompletuar, u shpreh Beqaj.
Kështu, kanë filluar tashmë procedurat e prokurimeve për blerjen dhe instalimin e disa pajisje të rëndësishme për këtë qendër spitalore universitare, siç janë: fondi prej 17 milion lekësh për blerjen dhe instalimin e Fibrogastroskopit dhe Bronkoskopit; blerja e respiratorëve dhe monitorëve në kuadrin e fondit prej 55 milion lekësh për blerjen e 7 respiratorëve dhe 21 monitorëve; si dhe në kuadrin e fondit prej 54 milion lekësh për blerjen e 4 ECHO-ve kardiake, 4 Tapeteve për provën ushtrimore të zemrës, 20 Aparateve Holter EKG për tensionin arterial, 20 Aparateve Holter Monitor për ritmin Kardiak dhe 16 EKG-ve për spitalet rajonale dhe universitare në vend.