Studimet e vërtetojnë, truri i femrave është më aktiv sesa i meshkujve
Truri i femrave është dukshëm më aktiv në shumë rajone sesa truri i meshkujve – të paktën kështu thonë studimet.
Këto hulumtime ndoshta mund të ndihmojnë ta shpjegojnë faktin se përse shumë femra janë më të prira të vuajnë nga ankthi, depresioni, pagjumësia dhe çrregullimet e ushqimit.
Studimi është kryer nga shkencëtarët e klinikës ‘Amen’ në Kaliforni, ndërkaq ka krahasuar 46,000 skanime të trurit nga nëntë klinika dhe i ka analizuar dallimet mes trurit të mashkullit dhe të femrës.
Kështu, shkencëtarët zbuluan se femrat janë më të prira të diagnostikohen me sëmundjen e Alzheimerit, me depresion, çrregullime të ankthit, etj.
Por, meshkujt kanë shkallë më të lartë të ADHD-së dhe çrregullimeve tjera të ngjashme, shkruan tg.
Përveç këtyre, studimi, i cili ishte publikuar edhe në revistën ‘Journal of Alzheimer’s Disease’, ka zbuluar se truri i femrave është dukshëm më aktiv në shumë zona sesa ai i meshkujve, e posaçërisht në korteksin parafrontal i cili përfshihet në përqendrim, kontroll impulsiv, etj.
Femrat gjithashtu kanë qarkullim më të madh të gjakut në korteksin parafrontal, gjë e cila mund ta shpjegojë faktin se përse femrat kanë tendenca të jenë më të forta në aspektet e mëshirës, intuitës, bashkëpunimit, etj.