Studimi: Gjumi i pamjaftueshëm na dëmton më shumë seç e kemi ditur deri tani
Mungesa e gjumit mund të ndikojë edhe në gjenet tona dhe lidhet me dëmtimin e ADN-së.
Ky është përfundimi i një studimi të botuar në revistën “Anestezia” (Anaesthesia).
Studimi në fjalë është kryer nga Siu-Wai Choi, profesor në Universitetin e Hong-Kongut.
Në të janë përfshirë 49 mjekë të turnit të natës, gjaku i të cilëve është analizuar disa herë në kohë të ndryshme.
Analizat treguan se aktiviteti i gjeneve që shërbejnë për të prodhuar proteinat e riparimit të ADN-së zvogëlohej te mjekët që bënin turnin e natës dhe se mjafton vetëm një natë zgjuar për të parë dëmtimet e para të ADN-së.
Dëmtimi i ADN-së për shkak të mungesës së gjumit mund të shpjegojë rritjen e rrezikut të shumë sëmundjeve (p.sh. diabeti, sëmundjet neurodegjenerative dhe ato kardiovaskulare) që lidhen me çrregullimet e gjumit.
“Edhe pse studimi është një punë në fazë paraprake, është e qartë nga rezultatet se edhe një natë e vetme pa gjumë mund të favorizojë ndryshime që ndikojnë në zhvillimin e sëmundjeve kronike”, thotë autori i studimit.