Studimi: Kanceri i mushkërive mund të bëhet agresiv pas 20 vjet “heshtjeje”
Disa lloje kanceri të mushkërive mund të mbesin “të heshtur” deri në 20 vjet para se të bëhen agresivë dhe të përhapen më pas shpejt.
Studiuesit dolën në këtë përfundim, pas studimit të rritjes së tumoreve në shtatë pacientë me kancer të mushkërive, duke përfshirë duhanpirësit, ish-duhanpirësit dhe një pacient i cili nuk kishte pirë duhan kurrë.
Derisa studiuesit konstatuan se pirja e duhanit ishte implikuar fuqishëm në nxitjen e gabimeve të hershme gjenetike të cilat fillimisht e shkaktuan formimin e tumorit – këto tumore mbetën të fshehura deri më dy dekada para se defektet e mëvonshme gjenetike e nxitën tumorin që të fillojë të rritet papritur dhe në mënyrë të shpejtë.
Studimi – i kryer nga hulumtuesit nga Cancer Research të London Research Institute të Britanisë së Madhe dhe Institutit për Kancer të Kolegjit Universitar të Londrës – konstatoi se deformimet gjenetike të mëvonshme, më fatalet nga këto deformime, ishin më pak të lidhura me aktin e pirjes së duhanit.
Derisa mjekët vazhdojnë të bëjnë përparim në trajtimin e disa kancereve të tjera, kanceri i mushkërive mbetet pothuajse po aq vdekjeprurës sa ishte 20 vjet më parë. Një nga arsyet për këtë është se sëmundja vazhdon të kalojë pa u vënë re derisa të jetë në fazat e mëvonshme dhe trajtimet të jenë më pak efektive. Prandaj, gjetja e mënyrave për ta zbuluar kancerin e mushkërive më herët është një nga çelësat për ta luftuar sëmundjen.
“Mbijetesa nga kanceri në mushkëri mbetet jashtëzakonisht e ulët ndërkohë që shumë trajtime të reja kanë ndikim të kufizuar tek sëmundja,” tha autori i studimit, Charles Swanton në një njoftim për shtyp.
“Duke kuptuar se si zhvillohet ky kancer, e kemi hapur librin evolucionar të rregullave të sëmundjes me shpresë se mund të fillojmë t’i parashikojmë hapat e saj të ardhshëm”.
“Ky hulumtim fascinues e nënvizon nevojën për të gjetur mënyra më të mira për ta zbuluar kancerin e mushkërive më herët, kur ai është ende duke e kaluar vetëm një rrugë evolucionare,” shtoi bashkautori Nic Jones.
“Në qoftë se mund ta sulmojmë sëmundjen në rrënjë dhe ta trajtojmë atë para se të ketë filluar të udhëtojë nëpër rrugë të ndryshme evolutive, mund ta bëjmë një ndryshim të vërtetë për të ndihmuar shumë njerëz që ta mbijetojnë sëmundjen. Në mbështetje të kësaj pune, Cancer Research UK po e financon një studim të quajtur TRACERx i cili është duke studiuar qindra pacientë me kancer të mushkërive derisa evoluojnë me kalimin e kohës, për të zbuluar saktësisht se si kanceret e mushkërive pësojnë mutacione, përshtaten dhe bëhen rezistues ndaj trajtimeve”, shtoi Jones.
Studimi është botuar në revistën Science.