Studiuesit gjermanë zbulojnë substancën që vret qelizat e kancerit

Studiuesit kanë zbuluar në sipërfaqen e limfomave një kompleks proteinash që dëmton qelizat kanceroze. Përdorimi i saktë i mekanizmit në sipërfaqen e qelizave të kancerit, çon në vdekjen e tyre.

Studiuesit e Universitetit të Bonit dhe kolegët e tyre në kompaninë amerikane Caris Life Sciences kanë zbuluar çelësin e kësaj dere, të ashtuquajturin aptamer. I përdorur siç duhet, ai bëhet fatal për qelizat e kancerit.

Aptameret janë sekuenca të shkurtra të ADN-së që varësisht nga radhitja e njësive ndërtimore gjenetike (nukleotide) mund të kombinohen në forma të ndryshme. Günter Mayer, profesor i biologjisë kimike në Universitetin e Bonit dhe kolegët e tij kanë zbuluar pikërisht aptamerin e duhur.

Studiuesit duan të studiojnë tani se përse qelizat kanceroze mbajnë mbi sipërfaqen e tyre proteina që shkatërrojnë vetë qelizën. Për këtë ka disa teori. Mayer thotë se kjo mund të vijë nga fakti që proteinat përdoren për të komunikuar me qelizat e tjera dhe për të përhapur tumorin.

Derisa të qartësohet se a mund të përdoren aptameret edhe në terapinë e trajtimit të tumorit, hulumtuesit do të kenë shumë për të bërë, pasi deri tani aptameret janë testuar vetën në laborator. Në vitet e ardhshme ata do ta testojnë substancën te minjtë dhe veç kësaj, do të gjejnë edhe mënyrën e dhënies së medikamentit.

SHKARKO APP