Supermikrobi rezistent ndaj antibiotikëve
Bakteret e reja po krijojnë mbrojtje ndaj mjekimeve moderne dhe po përbëjnë një kërcënim madhor për epidemi në të gjitha popullatat. Një lloj myku i tillë është edhe “Kandida Auris”, që edhe pas një dekade vijon të marrë jetën e të moshuarve dhe foshnjave me sisteme imunitar të dobëta. Rezistenca e këtyre baktereve mendohet se është rritur nga mbipërdorimi i antibiotikëve nga pacientët.
Shtete të ndryshme të botës po kërcënohen nga përhapja e një supermikrobi rezistent ndaj antibiotikëve i cili shkakton vdekjen brenda 90 ditëve dhe që deri më tani ka infektuar rreth 3,400 pacientë.
Mikrobi i njohur si “Kandida Auris”, i identifikuar fillimisht në vitin 2009 në Japoni tek një grua 70-vjeçare, u izolua në qytetin e Nju-Jorkut majin e kaluar, kur një pacient në moshë të thyer u paraqit për një ndërhyrje kirurgjikale në stomak.
Analizat e ndryshme treguan se gjaku i tij ishte infektuar nga bakteri misterioz dhe pavarësisht kujdesit mjekësor, pacienti ndërroi jetë pas tre muajsh.
Ajo çfarë ngjalli habi te doktorët ishte se edhe pas vdekjes së tij, në dhomën e pacientit çdo objekt i mundshëm ishte infektuar nga mikroorganizmat e dëmshëm, duke nisur nga pajisjet elektronike deri te muret dhe dritaret.
Për të asgjësuar sipërfaqen e mykur, spitalit madje iu desh të përdorte aparatura të veçanta për të shkulur një pjesë të tavanit dhe dyshemesë.
Raste të pacientëve të infektuar me bakterin “Kandida Auris” janë raportuar edhe në shtetet si Venezuela, Spanja, Britania e Madhe, India, dhe Afrika e Jugut.
Në 98 për qind të rasteve, bakteri ka shfaqur imunitet ndaj medikamenteve që përdoret për trajtimin e infeksioneve mykotike, që mendohet të jetë pasojë e mbipërdorimit të antibiotikëve nga ana e pacientëve.
Infeksioni shumë i vështirë për t’u kuruar prek më së shumti personat me sisteme imunitare të dobëta, siç janë foshnjat apo të moshuarit.