Ta përdoresh përtej gatimit, vlerat e vajit të ullirit
Vaji i ullirit, sidomos ai ekstra i virgjër, njihet prej kohësh për përfitimet e shumta shëndetësore, madje thuhet se është sekreti i jetëgjatësisë tek popullsia mesdhetare. Ky vaj i florinjtë është një pjesë e rëndësishme e dietës së shëndetshme mesdhetare dhe shijon shumë në sallata, pasta apo produktet e detit. Lexoni mbi disa përdorime të panjohura kurative dhe mirëbërëse të vajit të ullirit.
Vaji i ullirit përmban yndyra të shëndetshme për zemrën
Yndyrat mono-të-pangopura janë lloji kryesor i yndyrave që gjenden tek vaji i ullirit. Këto lloje yndyrash thuhet se ulin nivelet e kolesterolit dhe mund të normalizojnë mpiksjen e gjakut. Ulja e niveleve të kolesterolit të keq (LDL) do të thotë më pak probabilitet për bllokim të arterieve dhe rrezik më i ulët për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru. Zëvendësoni gjalpin dhe margarinën me produkte që përmbajnë vaj ulliri
Është i pasur me antioksidues
aji i ullirit përmban vitaminë E, karotenoide dhe përbërës fenolik, të gjithë këto antioksidues shumë të fuqishëm. Këta antioksidues mund të parandalojnë formimin e radikaleve të lira në trup (grupe të atomeve me një numër rastësor të elektroneve që ngjiten tek qelizat e shëndetshme dhe mund të dëmtojnë enët e gjakut, ADN-në dhe nxisin ndryshime në gjene që mund të çojnë në kancer).
Vaji i ullirit parandalon rritjen e tensionit të gjakut
Përveç yndyrave mono-të-pangopura, vaji i ullirit përmban gjithashtu sasi të lartë të një acidi yndyror esencial, i quajtur omega 3. Këto yndyra mbrojnë zemrën duke ulur tensionin e lartë të gjakut. Këto lloje yndyrash cilësohen esenciale sepse trupi nuk mund t’i prodhojë vetë prandaj duhet t’i sigurojmë nga burimet ushqimore.
Ju mbron nga depresioni
Sipas një studimi të fundit, vaji i ullirit mund të ketë përfitime shëndetësore si emocionale ashtu edhe fizike. Universiteti i Navarras dhe ai i Las Palmas de Gran Canaria kryen një studim ku u përfshinë më shumë se 12 000 njerëz dhe zbuluan se një dietë e pasur në vaj ullirit dhe yndyra poli-të-pangopura lidhen me një rrezik më të ulët për zhvillimin e çrregullimeve mendore.
Vaji i ullirit mund të luajë një rol të rëndësishëm në parandalimin e osteoporozës
Ka të dhëna që tregojnë se vaji i ullirit mund të rrisë sasinë e kalciumit në gjak, që mund të ketë një efekt pozitive në densitetin e kockave, kështu mund të parandalojë zhvillimin e osteoporozës.
Mund të ulë rrezikun e zhvillimit të sëmundjes së alcajmerit
Studime të mëparshme kanë treguar se një ekstrakt i vajit të ullirit (oleocanthal) mund të parandalojë zhvillimin e sëmundjes së alcajmerit dhe çrregullimeve të tjera mendore që mund të vijnë me moshën. Duhet të bëhen më shumë kërkime shkencore në këtë pjesë, megjithatë duhet thënë se vaji i ullirit është një pjesë e rëndësishme e dietës mesdhetare (e pasur gjithashtu me perime, fruta dhe peshk) q[ thuhet se mund të ulë rrezikun e sëmundjes së alcajmerit.
Vaji i ullirit ekstra i virgjër ul inflamacionin
Vaji i ullirit thuhet se mund të ketë të njëjtat efekte si ilaçet jo-steroidale antiinflamatore në lehtësimin e dhimbjeve nga artriti reumatoid. Përbërësi “oleocanthal” mund të pengojë enzimat pro-inflamatore, si dhe rrezikun e alcajmerit.