Tavolina e festave, më mirë të hash me sy
Mënyra më e mirë për të mos shtuar kile gjatë periudhës së festave? E thjeshtë. Mendohu përpara se të sulesh me pjatë në dorë në tavolinën që ka një orë që ta bën me sy. E dimë që është e vështirë të përmbahesh, por… prit po ta shpjegojmë më mirë. Në ditët e para të janarit e gjejmë veten duke bërë llogaritë me peshoren. Po nga vijnë gjithë këto kile të tepërta? Deri para një jave as që ishin fare. Mos ka diçka që nuk shkon me peshoren? Mes drekave dhe koktejeve ndonjë party a darke familjare, mes pjatave që ta bëjnë me sy dhe panettone-s që është aq e mirë… pasojat e asaj që vjen më pas dhe u trembemi aq shumë, të gjithë i marrim me mend, por bëjmë sikur s’kuptojmë. Dhe pastaj e flemë mendjen dhe vrapojmë palestrave me shpresën për të djegur brenda një jave të gjitha ato kalori që festat na i sollën dhuratë.
Kujdes me porcionet
Ha atë që të pëlqen, në fund të fundit është një periudhë veçanërisht e pasur me ushqime të shijshme, por mos e ekzagjero me porcionet. Madje përpiqu që të marrësh pak nga të gjitha sa ofron tavolina, por në sasi të limituara. Rreziku vlen për ata që mbushin pjatat me racione të plota dhe nuk dinë të heqin dorë derisa të provojnë gjithë pjatancat e mundshme.
Mos lër ëmbëlsira vërdallë
Darka ka mbaruar, të ftuarit janë larguar. Ok. Tani vendos çdo gjë në frigorifer dhe hidh çdo gjë tjetër që ka tepruar. Mos lër asgjë para syve, sidomos ato ëmbëlsirat e vogla e të shijshme që hahen me një kafshatë e të shijojnë aq shumë saaaa. Ok e tepruam. Na duket se po ju shtyjmë më keq në mëkat. Kështu pra, mos lini ëmbëlsira vërdallë.
Mëso të thuash jo
Me buzëqeshjen në buzë, por me ton të ulur dhe të vendosur. Ki gjithmonë një arsye të besueshme për këdo që nuk kënaqej me një “jo” të thjeshtë por kërkon të dijë përse-në. Sepse… sepse jam alergjike nga tartat me salmon të zhytur në majonezë. E thamë sa për t’ju dhënë një shembull e jo që t’ju shkojë goja lëng.
Shko në festë me diçka në stomak
Një mollë ose një frut çfarëdo, diçka që të të japë disi një ndjenjë të lehtë ngopjeje që të ndihmon që të kontrollosh porcionet dhe t’u shpëtosh tundimeve.
Mos e ekzagjero me alkoolin
Jo (vetëm) sepse edhe alkooli të shëndosh, por sepse i bën më të forta tundimet e gojës. Një mente të ndihmon të rezistosh. Nëse e ekzagjeron me pijen, rri e qetë. Thjesht do të shkosh në shtrat me barkun shumë më të fryrë nga sa e kishe programuar. Këtë do?
Seleksiono
Ose të paktën përpiqu që të lësh mënjanë ushqimet e rënda kur përgatit menunë e festës. Për shembull peshku, mishi i bardhë dhe perimet e stinës janë një bazë e mirë për një darkë të shijshme dhe jo shumë kalorike. Sigurisht duhet të bësh kujdes që të mos e shkatërrosh gjithçka me salcat dhe pjatat shoqëruese.
Lëviz edhe gjatë festave
Përpiqu që edhe gjatë ditëve kur je pushime të jesh në lëvizje. Dil nga shtëpia, shko të bësh një shëtitje, shko tako një mikeshë… me pak fjalë mos rri në shtëpi me pizhame e pandofla duke numëruar minutat që të ndajnë nga vakti tjetër.
Mos e ekzagjero
Me vetëkontrollin e kemi fjalën. Gjithsesi (këtu po tregohemi vërtet dorëlëshuar) kjo është dhe ngelet një periudhë festash dhe argëtimesh. Ne thjesht po përpiqemi që të shmangim dëmet e rënda, por jo t’u këshillojnë që të filloni një dietë dobësuese. Pikërisht në këtë periudhë? Nuk do t’ia vlente.
Pak palestër
Dhuroji vetes (ose sugjeroi dikujt që të të dhurojë) një abonim në palestër. Është mënyra më e mirë për të vënë theksin tek festat dhe për të filluar seriozisht, pasi kjo periudhë të kalojë, që të mbahesh në formë.