Të rinjtë me Hipertension, stili i jetesës po sëmur moshat 11-19 vjeç
Këmbanat e alarmit kanë nisur të bien fort për brezin që po rritet duket se ato bien në vesh të shurdhët. Në Shqipëri po rritet një brez i sëmurë fëmijësh. Mjekët konfirmojnë se sot ka 15-vjeçar apo 11-vjeçar me hipertension tek të cilët më vonë shfaqen komplikacione jo të lehta.
Sipas studimit më të fundit të Institutit të shëndetit Publik 11% e grupmoshës nga 15 deri në 19-vjeç janë me hipertension. Dhe hipertensionin në këtë moshë mjekët e lidhin vetëm me stilin e jetesës dhe ushqimet që konsumojnë. Kjo ka bërë që të nisin me hipertension në moshën 15-vjeç dhe të bëjnë infarkt në moshën 25-vjeç. Jo vetëm ushqimet që konsumojnë por edhe pijet energjike po shkatërrojnë shëndetin e fëmijëve.
Aktiviteti sportiv është jo vetëm masa parandaluese, por edhe ajo çfarë u sugjerohet rasteve të reja me hipertension pasi për të çuar në parametrat e duhur presionin arterial në moshat e reja nuk mund të përdoren medikamente. Futboll, not, vrap apo sporte të tjera mjafton të mos bëhet jetë sedentare sugjerojnë mjekët duke i kërkuar si fillim prindërve e më pas mësuesve nëpër shkolla që orën e edukimit fizik të mos e neglizhojnë duke e konsideruar si orë pushimi.