Thatësira kërcënon tartufin e zi – Studiuesit paralajmërojnë dyfishim të çmimit
Tartufi i zi është një nga ushqimet më të kushtueshme në botë, por ndryshimi i klimës mund ta çojë atë drejt zhdukjes. Gjithnjë e më i thatë, moti i nxehtë në rajonet kryesore të zhardhokëve në Itali, Francë dhe Spanjë po e bën të vështirë mbijetesën e tartufit të zi, sipas një studimi të botuar në revistën ‘Science of Total Environment.’
Si rrjedhojë, studiuesit parashikojnë një rritje të çmimit të këtij produkti, raporton ‘Bloomberg.’
Udhëheqësi i studimi, Paul Thomas, tha se thatësia ndikon në kultivimin e tartufit, i cili rritet gjatë verës dhe në këtë stinë lagështira është domosdoshmëri që më pas të piqet gjatë dimrit.
Një kilogram tartuf i zi kushton më shumë se 1 000 euro, por për shkak të thatësirës kjo do ta dyfishojë çmimin e tij, shton ndër të tjera Thomas. Vitin e kaluar gjithashtu çmimet u dyfishuan edhe për tartufin e bardhë.
Ky proces mund të përshpejtohet nga valët e nxehta dhe zjarret në pyje. Ndërkohë, Britania e Madhe dhe Irlanda shihen si mundësi ideale për rritjen e tartufit, pasi studiuesit shprehen se ky i fundit mund të ketë një të ardhme edhe në klimë më të freskët. Për këtë, Thomas tha se janë kryer edhe prova, pasi në 2017 ata kanë prodhuar zhardhokë tartufi të zi për herë të parë në Uells.