Ushqim para apo pas fjetjes, ekspertët: Çfarë duhet të zgjidhni
Shpeshherë kemi dëgjuar teksa thuhet se të hamë para se të flemë është e dëmshme për shëndetin. Ndërsa ekspertët thonë se për të bërë një gjumë të mirë dhe të shëndetshëm duhet të gjeni një rrugë të mesme, çka do të thotë të hani në sasi të moderuara ushqime të caktuara.
Nëse ju keni ngrënë shumë para gjumit, kjo mund të ngadalësojë tretjen dhe do t’ju pengojë që të flini rehat, e cila ndikon në lodhje dhe rënie të energjisë gjatë ditës. Përveç kësaj, është i njohur edhe fakti që privimi i gjumit është shkaktar i shtimit të peshës.
Mjekët rekomandojnë të konsumohen ushqime me kalori të vogla para se të shkojmë për të fjetur. Është e rëndësishme të shmangen ushqimet që përmbajnë një përqindje të lartë të proteinave ose yndyrës. Ushqime të shëndetshme që do ju ndihmojnë të bëni gjumë të rehatshëm janë bananet, qumështi dhe drithërat.
Kini kujdes, në rast se keni ndjesinë e urisë para se të flini, mos gaboni të flini me stomakun bosh, sepse dhimbja e stomakut e shkaktuar nga uria para gjumit mund të jetë një armik i vërtetë i gjumit tuaj./ATA