Ushqimet që nxisin migrenën, si të mbrohemi?
Dhembja kronike e kokës quhet migrenë. Ajo karakterizohet nga një fillim i papritur për minuta ose orë të dhembjes së gjysmës së kokës. Personat që vuajnë nga kjo sëmundje kanë ndjeshmëri të theksuar ndaj zhurmës dhe dritës. Në rastet kur kjo dhembje është e fortë pacienti preferon të shtrihet në qetësi, në dhomë të errët dhe provon të flejë.
Dr. Neurologe, Entela Basha shprehet se migrena prek më shumë femrat se sa meshkujt, sepse mendohet që luhatjet hormonale pësojnë ndryshime më shumë përgjatë ciklit menstrual. Dr.Basha thekson se çrregullimet e gjumit dhe migrena bashkëekzistojnë me njëra – tjetrën. Dhembjet e kokës influencohen shumë nga pagjumësia apo gjumi i shtuar siç ndodh në fundjavë. Ataket migrenoze në pjesën dërrmuese të rasteve fillojnë rreth orëve 04.00 – 09.00, duke ndikuar direkt në cilësinë e gjumit.
Faktorët që favorizojnë shfaqjen e migrenës janë, regjimi jo i rregullt, kequshqyerja, stresi, duhani, erërat e forta, ndryshimet e motit etj.
Çfarë është migrena?
Migrena është një çrregullim i kudondodhur i karakterizuar nga dhimbje koke unilaterale, shpesh pulsative që fillon në fëmijëri, adoleshencë ose në adultët e rinj. Migrena është komplekse dhe është ndër sëmundjet më të shpeshta që haset në mjekësinë e sotme.
Nga se shkaktohet?
Migrene konsiderohet si një fenomen vaskular vazokonstriksioni që pasohet nga fenomeni rebound vazodilatacioni (ngushtimi dhe zgjerimi i enëve të gjakut). Megjithatë teorite neurovaskulare e shpjegojnë si një proces neurogjenik primar me ndryshime sekondare në perfuzionin cerebral e shoqëruar nga një inflamacion neurogjenik steril. Komponenti gjenetik është shumë i rëndësishëm përafërsisht 70% e pacienteve kanë një të afërm të gradës së parë me histori migrene. Përveç kësaj një numër i madh faktorësh ambientale dhe të sjelljes mund të precipitojnë atake migrenoze në persona që janë të predispozuar për të bërë atake migrenoze.
Çfarë karakteristikash ka migrena?
Migrena karakterizohet nga një fillim i papritur për minuta ose ore të dhembjes së kokës hemikranike (gjysma e kokës) ose më rralle nga dhembje koke difuze me ose pa nauzë dhe të vjella. Ndjeshmëria ndaj zhurmës dhe dritës, intensifikimi me lëvizjet e kokës është i zakonshëm. Nëse dhembja është e fortë, pacienti preferon të shtrihet në qetësi, dhomë të errët dhe provon të flejë. Aspekti hemikranik dhe pulsatil i migrenës janë tiparet më karakteristike në krahasim me tipet e tjera të cefalesë.
Karakteristikat e atakut migrenoz janë:
-Koha e fillimit. Ataku migrenoz mund të fillojë në çdo moment të ditës dhe të natës, por më e shpeshtë është fillimi në orët e para të mëngjesit.
-Frekuenca. Frekuenca e atakeve varion nga 1 – 2 në muaj deri në 2 – 3 në javë.
-Kohëzgjatja. Ataku migrenoz zgjat nga disa orë deri në 3 ditë.
–Lokalizimi. Zakonisht dhembja është unilaterale dhe mund të variojë herë në njërën anë herë në tjetrën e në raste të rralla mund të jetë difuze.
-Intensiteti. Dhembja gjatë atakut është e fortë saqë e pengon pacientin të kryejë aktivitetin e përditshëm.
Çfarë është aura?
Migrena është e karakterizuar nga dhembja e kokës së njëanshme që mund të jetë e moderuar deri në e ashpër, pulsuese që rëndohet nga aktiviteti i përditshmëm. Ajo mund të jetë e shoqëruar me simptoma të ndryshme sensoriale dhe vizive të cilat ndodhin përpara dhembjes, por mund të ndodhë dhe gjatë dhe para dhembjes të cilat njihen si aura. Më e shpeshtë nga aurat janë vizive (pamore) siç janë skotomat (njollat e errata), fotofobia (frikë nga drita) ose shintilacionet (shkëndijat.) Aura zakonisht zgjat 5 – 20 minuta dhe zgjat më pak se 60 minuta.
Çfarë përfshijnë ndryshimet fizike përgjatë krizës?
Ndryshimet fizike përgjatë migrenës mund të përfshijnë dhimbje, tërheqje, rëndim të muskujve kraniale (të kokës) dhe cervikale (të qafës), sindromen Horner (rënie e palpebrës dhe zvogëlim i irisit 1-2 mm) në të njëjtën anë me dhëmbjen e kokës, rrahjet e shpeshta ose të ngadalta të zemrës, hypertension apo hypotension, deficitë neurologjike sensoriale ose dhe paraliza të anesive (duar e këmbë) etj.
Përse migrena prek më shumë femrat se meshkujt?
Migrena prek më shumë femrat, sepse mendohet që luhatjet hormonale (estrogjeni dhe progresteroni) pësojnë luhatje më shumë përgjatë ciklit menstrual. Migrena menstruale është e lidhur me tërheqjen e estradiolit më tepër se të progresteronit. Ataket ndalojnë gjatë gravidancës në 70 – 80% të grave dhe në të tjerat ato vazhdojnë ta ulin frekuencën. Ataket migrenoze ose simptomat neurolgjike shoqëruese për herë të parë shumë rrallë ndodhin gjatë gravidancës, zakonisht në tremujorin e parë. Megjithatë migrena e ul severitetin dhe frekuencën me kalimin e viteve. Ajo mund të përkeqësohet në disa gra në post menopausë dhe terapia me estrogjene mund edhe të rrisë ose paradoksalisht të ulë incidencën e dhembjes së kokës. Përdorimi i kontraceptivëve është shoqëruar me rritjen e severitetit dhe frekuencës së migrenës dhe në raste të rralla ka çuar në defiçit permanent neurolgjik.
Cila moshë preket më shumë?
Migrena mund të ketë fillimin e saj në fëmijëri, por zakonisht fillon në adoleshencë. Në më shumë se 80% të pacienteve, fillimi është para moshës 30 vjeç. Në gra cefalea tenton të ndodhë në periudheën premenstruale, në 15% të këtyre migrenozeve ataket janë eklusivisht perimenstrual (migrena e vërtetë menstruale). Incidenca e migrenës me aura ka pikun e saj në meshkujt në moshën 5 vjeçare dhe në vajzat 12 – 13 vjeç. Migrena pa aura pikun e ka në djemte 10 -11 vjeç dhe vajzat 14 -17 vjeç. Përpara pubertetit prevalencë dhe incidencë e migrenës është më e lartë në djem se në vajza, pas moshës 12 vjeç. Raporti femra meshkuj është 2.5:1 dhe 3.5:1 rreth moshës 40 vjeç. Pas kësaj moshe bie severiteti dhe frekuenca përveç femrave në periudhën e perimenopauzës. Shfaqja e migrenës pas moshës 50 vjeç është e rrallë.
Cilët faktorë favorizojnë shfaqjet e migrenës?
Një numër faktorësh precipitojnë krizat e migrenës ku hyjnë: – Ndryshimet hormonale si ato që shoqërojnë menstruacionet, gravidancen dhe ovulacionin. – Stresi, – Gjumi i tepërt ose i pakët, -Medikamentet si vazodilatatorët dhe kontraceptivët, – Duhani, – Ekspozimi ndaj dritës ose ndriçimit fluoreshent (night clubet, pub-et), – Erërat e forta (parfumet, kolonja, derivatet e naftës etj), – Traumat e kokës, – Ndryshimet e motit, – Luhatjet emocionale, – Stimujt e ftohtë si p.sh ngrënia e akullorës, – Mungesa e aktivitetit fizik, – Ngrënia e shpejtë e vakteve apo dhe mosngrënia e tyre, – Vera e kuqe.
Cilat janë ushqimet që nxisin migrenën?
Disa ushqime konsiderohen si precipitues potencial të migrenës. Të tillë janë: Kafeina, ëmbelsuesit artificialë (aspartame, zaharine), agrumet, ushqimet që përmbajnë tyramine (djathrat e stazhionuara) dhe mishrat me nitrite. Megjithatë studime të mëdha epidemiologjike kanë dështuar në vlerësimin e saktë të rolit të këtyre trigerave (shpërthyes) dhe ende nuk ka një dietë të saktë që mund të ndihmojë në lehtësimin e migrenës, por pacientë të cilët identifikojnë ushqime apo zakone specifike që shpërthejnë krizat e migrenes sygjerohen t’i eleminojnë ato. Përdorimi i çokollatës është i dyshimtë si trigger. Deri më sot mendohej se mund të shpërthente krizat. Një studim i madh i kryer se fundmi nuk e konsideron më përdorimin e çokollatës si trigger të atakeve të migrenës (Studimi PAMINA).
Përse ndodh që personat me migrenë të kenë probleme me gjumin?
Çrregullimet e gjumit dhe migrena bashkëekzistojnë me njëra – tjetrën. Dhembjet e kokës influencohen shumë nga pagjumësia apo gjumi i shtuar siç ndodh në fundjavë. Ataket migrenoze në pjesën dërrmuese të rasteve fillojne rreth orëve 04.00 – 09.00, duke ndikuar direkt në cilësinë e gjumit. Gjithashtu siç u tha më lart orët e pakta të gjumit mund të shpërthejnë kriza migrenoze. Gjumi i zgjatur veçanërisht gjatë ditës mund të shoqërohet me dhembje koke tek individë që vuajnë nga migrena.
Po diagnostikimi si kryhet?
Diagnoza e migrenës bazohet në historinë e sëmundjes, përshkrimin e simptomave, ekzaminimin fizik dhe neurologjik. Fatkeqësisht, përderisa diagnoza varet nga interpretimi i simptomave të pacientit dhe perderisa nuk ka akoma teste laboratorike, debati përsa i përket fillimit dhe mbarimit të migrenës tenton të bëhet polemik. Favorizues për diagnozën e migrenës janë fillimi në fëmijëri ose adoleshencë, histori e zgjatur, histori familjare, ataket e mëparshme ose migrena hemikranike më tipike dhe përgjigjia ndaj mjekimit me ergotaminë ose triptanë.
Po për mjekimin çfarë këshillohet?
Medikamentet që përdoren për trajtimin e migrenës mund të klasifikohen si abortive ( për të lehtësuar fazën akute) dhe profilaktike (parandaluese). Trajtimi akut qendron në stopimin e dhembjes së kokës. Ky mjekim është efektiv kur merret brenda 15 minutave nga fillimi i dhembjes së kokës dhe kur dhembja është ende me intensitet të ulur.
Preparate abortive (ose të krizës)
Agonistet selektive të receptorëve të serotoninës (triptanet)
Alkaloidet Ergot (ergotamine, dihydroergotamine)
Analgezikë (paracetamol, acetaminophen)
Antiinflamatoret josteroide (ibuprofen, ketoprofen etj)
Antiemetikë (preparate kundër të vjellave)
Quhet i suksesshëm mjekimi me preparatet e krizës nëse:
Qetësimi i dhimbjes vjen pas 2 orësh.
Përmirësimi i intensitetit të dhembjes nga e moderuar ose e fortë në mesatere ose pa dhembje.
Efikasitet i medikamentit në 2-3 atake.
Pa rekurrencë të dhembjes së kokës ose përdorim të medikamenteve të tjerë brenda 24 orëve nga përdorimi i tyre
Preparate parandalues ose për profilaksi
Medikamente antiepileptike ( Depakine, Topiramat)
Beta bllokuesit (propanololi)
Antidepresivët triciklike (Amitriptiline etj)
Kalcibllokuest (Flunarizine)
SSRI (Esicitalopram, etj)
Antiinflamatorët josteroide (Ibuprofen etj)
Toksina Botulinike
Përdorimi i preparateve duhet të bëhet patjeter me konsultën e mjekut Neurolog.
Metodat specifike përveç mjekimit?
Biofeedback: Është një teknikë që ndihmon të sëmurët që vuajnë nga dhembjet e kokës (jo vetëm të migrenës) të marrin informacion mbi tensionimin e muskujve, temperaturën e lëkurës, valëve të trurit dhe shenja të tjera vitale. Sensorë të vegjël metali, të quajtura elektroda janë të vendosura në lëkurë dhe mbledhin informacion mbi tensionimin e muskujve ose temperaturën e lëkurës. Ky informacion transformohet në numra, valë elektrike ose tinguj mbi një ekran. Shumë studime tregojnë që biofeedback redukton frekuencën dhe kohëzgjatjen e dhembjes së kokës si në fëmijë të rritur madje efektet e tij mund të krahasohen me shumë medikamente të përdorura për dhembjet e kokës kronike.
Menaxhimi i stresit: Evente të ndryshme gjatë ditës rrisin stresin, ankthin dhe depresionin, duke u bërë trigger për shpërthimin e dhembjes së kokës. Studimet tregojnë që kombinimi i terapisë së menaxhimit të stresit me disa antidepresivë reduktojnë dhembjet e kokës. Përdoren praktika relaksimi nga specialistë të fushës duke u kombinuar me gjumë të mjaftueshëm, dietë të shëndetshme. Biofeedback dhe trajtimet relaksuese mund të bëhen nga psikologë dhe nga qendra të specifikuara mjekësore.
Akupunktura:Është një teknikë kineze që kryhet me anë të disa gjilpërave shumë të holla në pjesë të ndyshme të trupit. Sipas traditës kineze akupunktura ndihmon në dhembjet e kokës duke stimuluar pjesë të trupit dhe aftësinë e tij për t’u rezistuar sëmundjeve të ndryshme dhe duke korrigjuar dizekuilibrin e energjisë imbalancës. Sipas disa studimeve akupunktura mund të shkaktojë çlirimin e disa lëndëve kimike siç janë endorfinat të cilat luftojne dhembjet.
Masazhi në dhembjet e kokës dhe në migrenë
Vlera e masazhit në trajtimin e dhembjeve të kokës nuk është ende e vërtetuar megjithatë masazhi është një rrugë shumë e mirë për të reduktuar stresin dhe lehtësuar tensionin. Ai është veçanërisht efektiv në reduktimin e tensionit të muskujve në pjesën e pasme të kokës, qafës, krahëve dhe shpatullave, duke rritur fluksin e gjakut në këto zona. Për disa njerëz masazhi mund të lehtësojë simptomat e dhembjes së kokës.
Aromaterapia
Në shumë praktika mjekësore tradicionale përdorimi i vajrave esenciale duke u marrë erë ose duke i aplikuar në lëkurë, të cilat mund të shkaktojnë relaksim dhe të alterojnë perceptimin e dhembjes. Histori të ndryshme të bartura nga lashtësia sygjerojnë që përdorimi i vajrave të lavandës, gingerit ose mentes, të cilat mund të lehtësojnë dhembjet e kokës (kryesisht tensive).
Ndryshimet dietetike
Më lart janë përmendur të gjithë ushqimet që mund të shpërthejnë si trigger për dhembjet e kokeës. Për menaxhimin afatgjatë të dhembjes së kokës duhet të identifikohen dhe të eleminohen këto ushqime. Studime të ndryshme tregojnë që përdorimi në dieta i suplementeve, si acideve yndyrore omega 3, magnesiumit, riboflavinës, coenzyme Q10 dhe melatonina mund të ndihmojnë në uljen e frekuencës dhe intensitetit të dhembjeve të kokës.
Intervistoi: Vilma Kërçiku/Tv Klan