Vaji i palmës dhe ndikimi i tij mbi shëndetin
A është kancerogjen vaji i palmës? Në maj të v. 2016 është botuar një studim ku vërtetohet rreziku i mundshëm mbi shëndetin i disa lëndëve potencialisht kancerogjene, që krijohen gjatë rafinimit në temperatura të larta (mbi 200 gradë) të vajrave bimore, ndër të cilët edhe vaji i palmës. Veç duhet theksuar se kjo ndodh me të gjitha vajrat bimore. K
Nga Guri Shyti
(Kimist teknolog)
Kohët e fundit në Shqipëri është vërejtur se shumë ushqime, sidomos ato të gatshme, përgatiten duke përdorur për skuqjen e tyre, vaj palme. Nisur që këtej, meqenëse ky lloj vaji nuk është shumë i njohur për përdoruesit e ushqimeve në vendin tonë, krijohet përshtypja se duhet të jetë i dëmshëm. Për të sqaruar lexuesit, po përshkruaj se çfarë përfaqëson ky vaj dhe çfarë vlerash ka.
Vaji i palmës është një ushqim me bazë bimore, i cili nxirret nga shtrydhja e frutit të palmës vajore. Palma mbillet dhe rritet në rajone me lagështi të lartë të Rruzullit Tokësor, siç është Indonezia, Malejzia dhe Amerika Latine. Ky lloj vaji përdoret në shumë produkte ushqimore dhe në kozmetikë.
Vaji, pasi shtrydhet, pastrohet me anë të rafinimit industrial, i cili ka për qëllim edhe të ulë përqindjen e aciditetit të tij. Në përpjekje për t’i larguar erërat, ngjyrat dhe, për ta bërë kimikisht neutral, gjithmonë në rrugë industriale, dashje-padashje, vajit i humbasin shumë veti të mira.
Ka dy lloje vajrash palme: njëri që nxirret nga fruti i palmës dhe një tjetër që del nga bërthama e frutit. Ky i fundit quhet vaj palmiste dhe ka veti dhe ngjyrë të ndryshme nga i pari.
Vaji i palmës ka rreth 50% yndyra të ngopura të pa hidrogjenuara, gjë që, në temperaturën e mjedisit, i jep atij një gjendje fizike gjysmë të ngurët (të squllët).
Le të themi dy fjalë shkurtimisht se çfarë janë yndyrat e ngopura dhe ato të pangopura. Yndyrat e ngopura që gjenden në bulmetra, në ushqimet me prejardhe nga bulmeti dhe në mishin e kuq, janë të dëmshme për organizmin, prandaj edhe duhet të përdoren me masë, pasi ndikojnë shumë në rritjen e sasisë së kolesterolit dhe në shkakun e sëmundjeve të zemrës.
Kurse yndyrat e pangopura janë të shëndetshme për organizmin, pasi ndihmojnë në pakësimin e kolesterolit. Gjenden në ushqimet bimore, në yndyrën e peshkut, në arrat, bajamet dhe lajthitë.
Por le të kthehemi tek vaji i palmës. Ky vaj, kohët e fundit ka filluar të zëvendësojë vajrat bimore pjesërisht të hidrogjenizuara, siç është margarina, që janë të dëmshme për shëndetin, prandaj edhe janë rritur shumë kërkesat për të. Por ka edhe shkaqe të tjera që e bëjnë këtë vaj më të kërkuar, siç është qëndrueshmëria ndaj ndikimit të kushteve të mjedisit mbi gjendjen fizike dhe kimike të tij, kostoja e ulët, fakti që ka aftësi më të larta ruajtëse të produkteve ushqimore, merr shije të hidhur më me vështirësi dhe në temperatura më të larta nga yndyrat e tjera, është një produkt më i butë dhe që ruan freskinë, sidomos kur mbushet me kremëra të ndryshme, që e bën më të lehtë për t’u paketuar, nuk lejon krijimin e mykut, për shkak të gjendjes fizike gjysmë të ngurtë mund të zëvendësojë gjalpin dhe margarinën, pasi duke qenë bimor ka më pak acide të ngopura.
Vaji i palmës nuk ka asnjë shije, prandaj edhe nuk e ndryshon shijen e vetë ushqimit ku merr pjesë. Për ta kuptuar këtë mjafton të përmendim se vaji i ullirit u jep ushqimeve aromën dhe shijen e vet. Këta faktorë e kanë bërë që, pas hyrjes në fuqi të normave të reja të Organizatës Botërore të Shëndetsisë, industria ushqimore të përdorë më shumë yndyra bimore alternative, sidomos në industrinë ushqimore dhe në kozmetikë. Por është i ndaluar të përdoret në fushën e karburanteve.
Nga studime të shumta ka dalë se, duke pasur përqendrim të lartë të yndyrave të ngopura, siç e përmendëm më sipër, përdorimi i tepruar i vajit të palmës mund të rritë sasinë e kolesterolit, të triglicerideve dhe të lëndëve pezmatuese në gjak, të cilat çojnë në sëmundje mahisëse kronike si sëmundjet kardiovaskulare, arterioskleroza, diabeti dhe disa forma të tumoreve.
A është kancerogjen vaji i palmës? Në maj të v. 2016 është botuar një studim ku vërtetohet rreziku i mundshëm mbi shëndetin i disa lëndëve potencialisht kancerogjene, që krijohen gjatë rafinimit në temperatura të larta (mbi 200 gradë) të vajrave bimore, ndër të cilët edhe vaji i palmës. Veç duhet theksuar se kjo ndodh me të gjitha vajrat bimore. Ky rrezik është i lartë kur këto vajra përdoren për skuqje të ushqimeve të ndryshme, por është pothuajse i pashmangshëm kur i njëjti vaj shfytëzohet për skuqje disa herë. Një praktikë e tillë, e cila haset shpesh në njësitë që tregtojnë ushqime, duhet të përjashtohet, ose të ndëshkohet nga organet tona të kontrollit të ushqimit. Prandaj duhet të hidhet vaji me të cilin është skuqur një ushqim, një herë. Po kështu paraqet rrezikshmëri përdorimi i përditshëm i prodhimeve që vijnë nga skuqja e ushqimeve. Ndër to duhet të theksojmë “patatinat”, aq të dëshiruara nga fëmijët, të cilat paraqesin rrezik potencial. Ky rrezik është më i madh tek ushqimet që skuqen me vaj palme, sepse, siç e përmendëm, ka më shumë yndyra të ngopura.
Po t’u përmbahemi këtyre rregullave, vaji i palmës nuk ka asnjë rrezik tjetër, të ndryshëm nga vajrat e tjera bimore. Të paktën deri sot, në shtypin botëror, nuk ka asnjë të dhënë shkencore që ta verë në dyshim këtë përfundim.