Vit i keq për ullirin, prodhuesit: Pak prodhim për shkak të motit
Enver Dervishi këtë vit nuk do të prodhojë asnjë litër vaj. Plantacionet me ullinj në fshatin Shesh të Tiranës janë bosh. Prej 5 vitesh, kjo kulturë është dëmtuar duke ndikuar negativisht te prodhimi vjetor. Këtë sezon, 54-vjeçari nuk do të sigurojë vaj as për konsum familjar.
“Ullinjtë e mi këtë vit janë zero, nga sëmundja që i ka rënë. Janë tharë gjethet dhe nuk ka prodhim. Ministria e Bujqësisë për këtë punë nuk e ka çarë kokën fare. Vitet e tjera unë kam prodhuar 5-6 kuintal. Këtë vit asnjë kokërr”, shprehet Enveri.
Në fabrikën e vajit të fshatit Shesh, 47-vjeçari Xhezo Lame nuk punon më tepër se 2-3 orë në ditë. Edhe ai shprehet se ky është sezoni më negativ për prodhimin: “E gjithë zona e Sheshit ka rreth 6 mijë rrënjë ullinj shekullorë, e ka pasur 50 litër për ulli. I bie të bëj 3000 kuintal ullinj. Sivjet i kanë bërë a s’i kanë bërë 100 kuintal ullinj”.
Pavarësisht prodhimit në rënie, vaji i zonave të Tiranës vlerësohet në Europë. Lame thotë: “Kanë bërë një studim francezët edhe flasin për ullinjtë shekullorë, ullirin e bardhë të Tiranës. Nxjerr një nga vajrat më të mirë në Evropë. Kemi prodhuar këtu në fabrikën tonë rreth 8 tonë vaj. Viti më i mirë ka qenë viti 2012, kur dolën 100 tonë vaj”.
Në gjithë Shqipërinë, këtë sezon prodhimi i ullirit ka shënuar rënie. Shkak kryesor mbeten kushtet e paqëndrueshme klimatike të viteve të fundit.