Vrasësit e heshtur, Hepatiti B dhe C, specialistja Demiraj: Ja sesi mund të parandalohen

Në Ditën Botërore kundër hepatitit, Specialistja Gastrohepatologe Dr.Vigjilenca DEMIRAJ, në studion e Tema TV, shpjegon rrugët e transmetimit të këtij infeksioni që rrezikon jetën e njeriut duke shkaktuar sëmundje të rënda siç janë ciroza e mëlçisë, insufiçenca akute e mëlçisë apo kanceri i mëlçisë.

Ndërsa Hepatiti A dhe E transmetohen nëpërmjet ushqimeve dhe ujrave të kontaminuara, Hepatiti B dhe C, të cilët sipas specialistes gastrohepatologe Dr.Vigjilenca Demiraj janë më të rrezikshmit, kanë të njëjtat rrugë transmetimi si ato të virusit HIV apo sëmundjes së SIDA-s.

Rrugët e transmetimit të hepatitit B dhe C janë nëpërmjet transfuzioneve të pakontrolluara të gjakut, marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, tatuazheve ose piercing te realizuara me shiringa dhe age të pasterilizuara, dentistët, përdorimi i brisqeve të rrojës, ndërrimi i vathëve.

Rrezikshmëria nga Hepatitet është e madhe, sepse viruset që i shkaktojnë nuk kanë klinikë, nuk kanë shenja apo simptoma në fazat e tyre të hershme.

Simptomat e këtyre viruseve shfaqen pas një ose dy dekadash, atëherë kur sëmundja ka precipituar. I vetmi simptom që mund të ndjejë i sëmuri në fazat e hershme të sëmundjes është një këputje që shpesh ngatërrohet me influencën, lodhjen fizike, stresin, kushtet klimatike etj.

E vetmja mënyrë, sipas specialistes gastrohepatologe, për diagnostikimin e hershëm të këtij infeksioni, është kryerja e rregullt e analizave çdo 6 muaj.

Çdo vit në mbarë botën infektohen rreth 1.4 milion njerez me virusin e Hepatitit A. 2 miliardë njerëz janë të infektuar me virusin e hepatitit B.

Rreth 500 milionë vuajnë me sëmundje kronike nga virusi i hepatitit B apo C. 80% e kancereve të mëlcisë kanë si shkak njërin nga këto viruse apo të dy bashkë.

SHKARKO APP