Zbulohen metoda të reja për trajtimin e kancerit

Ilaçet e para që do të ndalojnë qelizat kancerogjene të bëhen rezistente ndaj trajtimit mund të jenë të disponueshme përgjatë dekadës së ardhshme.

Shkencëtarët synojnë të përdorin metoda të reja duke përfshirë trajtimin përmes kombinimit të shumë llojeve të ilaçeve dhe inteligjencën artificiale për të parashikuar dhe ndikuar në evoluimin e qelizave të kancerit.

Shefi ekzekutiv i Institutit për Hulumtime të Kancerit, Paul Workman, tha se aftësia e kancerit për t’u përshtatur ndaj ilaçeve është sfida më e madhe në trajtimin e sëmundjes, pasi sipas tij ilaçet e reja mund ta bëjnë kancerin një sëmundje “të menaxhueshme” në afat të gjatë dhe “me më shumë mundësi për shërim”.

Workman tha se do të duhen edhe 10 vjet për testimet laboratorike dhe studimet klinike para se ilaçet e reja të jenë në dispozicion për pacientët.

Studiuesit thonë se trajtimet ekzistuese, siç është kimioterapia, nganjëherë dështojnë sepse qelizat më të rrezikshme të kancerit përshtaten dhe mbijetojnë gjatë trajtimit, duke shkaktuar që sëmundja të përsëritet.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë më herët se pritet që sëmundja e kancerit të jetë shkaku kryesor i vdekjeve në shekullin 21.

SHKARKO APP