Zbuloni vlerat që pjeshka ka për shëndetin
Jemi në sezonin më të përshtatshëm për larmishmërinë e frutave dhe perimeve. Dhe meqënëse jemi pikërisht në stinën e tyre, mund ti gjejmë fare lehtë, si dhe me një çmim ekonomik. Fruti i këtij sezoni është edhe pjeshka me nektarinën, në esencë është pemë krejtësisht e njëjtë. Pjeshkët kanë vlera të shkëlqyera për kujdesin ndaj lëkurës, syve edhe gjatë shtatzanisë, pikërisht falë vitaminave dhe mineraleve që posedon.
Me push apo pa push, e butë apo e fortë nuk ka rëndësi, pjeshka mbetet një ndër frutat mrekullibërës me vlera të pazëvendësueshme dhe tepër e shijshëshme. Pjeshka konsiderohet si simboli i jetëgjatësisë në Kinë, ku është kultivuar për më shumë se 5000 vjet. Pjeshka është e pasur me antioksidantë të cilët i mbrojnë qelizat e trupit nga dëmtimi dhe kështu zvogëlojnë rrezikun nga sëmundjet kardiovaskulare, disa lloje të kancerit dhe sëmundjeve kronike. Pjeshkat përmbajnë fenol, substancë e cila është antioksidanti i saj kryesor dhe i cili vepron më fuqishëm se sa vitamina C.
Është mirë që pjeshka apo nektarina të konsumohen bashkë me lëvoren e tyre, pra pa qëruar, pasi përmbajnë dy herë e gjysmë më shumë fenol se sa vetë brendësia e frutit. Karotenoidet kryesore të cilat gjenden në pjeshkë dhe nektarina janë beta-kriptoksantin dhe beta-karotinë, të cilat në organizëm shndërrohen në vitaminë A. Sa më të portokallta të jenë pjeshkat më tepër beta-karotenë ka në to.
Vlerat shëndetësore të pjeshkëve dhe nektarinave
Pjeshkët e freskëta janë burim i mirë i fosforit, i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse ndikon në shëndetin e eshtrave dhe dhëmbëve, rritjen dhe rigjenerimin e indeve dhe mirëmbajtjen e vlerave të ph në gjak. Ato po ashtu përmbajnë edhe hekur, bakër i cili i nevojitet organizmit për të krijuar hemoglobinë dhe kolagjen, vitaminë B3, i cili është një faktor i rëndësishëm për metabolizmin dhe prodhimin e energjisë. Pjeshkët janë antioksidantë: Pjeshkët përmbajnë luteinë, zeaksanthinë dhe beta-kritoksanthinë që ndihmojnë kundër radikaleve të lira dhe e mbrojnë organizmin nga dëmet e shkaktuara prej tyre.
Të pasur me Kalium: Pjeshkët përmbajnë kalium që është thelbësor për funksionin e nervave dhe të gjithë trupit. Ndihmojnë në proçesin e Tretjes: Pjeshkët ruajnë shëndetin e sistemit tretës, sepse janë të pasura me alkalinë dhe fibër. Rregullator të sistemit nervor: Prania e magnezit tek pjeshkët ndihmon në parandalimin e stresit dhe ankthit dhe e mban sistemin nervor të qetë, Mbrojnë nga obeziteti: Pjeshkët përmbajnë përbërës bioaktivë që kanë ndikim të mirë kundër çrregullimeve shëndetësore, që shkaktojnë obezitet.