45,000 euro për bamirësi? E vërteta e Arbër Çepanit

Fituesi i parë i Big Brother Albania, Arbër Çepani i cili gjatë reality show-t deklaroi se do t’i shpenzonte paratë për bamirësi, ishte i ftuar në emisionin ”Glamour Zone” në Ora News, ku u pyet ~sinqerisht~ nëse i shpenzoi paratë për bamirësi. ”Isha 20-vjeç kur hyra në atë reality show. Isha një student i Shkencave Politike që donte të ndryshonte botën me idetë dhe idealizmat e veta”,-tha ai. ”Sigurisht që për të ndryshuar botën, duhet ta fillojmë duke ndryshuar veten. Ishte një sfidë për të cilën unë u futa”. Çepani theksoi se bamirësia e tij nuk ishte si një veprim ku kaloje paratë në një llogari bankare por ishte një fushatë sensibilizimi me emrin “Ndryshimi fillon nga ti”, e cila u përhap në trojet shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve. Më pas, ai ndërpritet nga moderatorja për të kaluar në një tjetër temë, megjithatë nuk është hera e parë që flet për fushatën e viteve më parë.

Pasi fitoi edicionin e parë të Big Brother Albania, Arbri ndërpreu studimet në Bari, Itali, dhe nisi punën për të mbajtur premtimin e bërë gjatë programit. ”Me çmimin final prej 45 mijë euro që fitova në edicionin e parë, nisa një fushatë sensibilizuese me emrin kuptimplotë ‘Ndryshimi fillon nga ti’, që kishte si qëllim pikërisht të tregonte se ndryshimi nuk duhej të pritej vetëm nga lart, por duhej të niste prej prej nesh. Gjithsecili nga ne mund të bëhet ndryshimi që kërkon të shikojë rreth vetes dhe ky ishte mesazhi kryesor që donim të jepnim me këtë fushatë në rrugëtimin tonë nëpër Shqipëri”,-tha ai për Anabel.al në 2017.

Arbri tregoi dy vite më parë se përveç fushatës ndërgjegjësuese, i shfrytëzoi të ardhurat edhe për të ndihmuar drejtpërdrejt njerëzit në nevojë, për të përmirësuar dhe mbrojtur hapësirat publike si edhe për të nxitur dhe ndihmuar artistët. ”Ato para u shpenzuan për rikonstruksionin e një fushe sportive në një shkollë fillore në Vorë, për një kënd lojrash në një kopësht të Gërdecit, për të mbjellë pemë në ripyllëzimin e Lurës, për të ndihmuar fëmijët jetimë, për të ndihmuar të moshuarit në azilin e Tiranës, për të mbrojtur specien endemike të koranit në liqenin e Pogradecit, për të mbështetur njerëzit me aftësi të kufizuara, për të ndihmuar financiarisht vepra artistike si punimi më i madh në botë me tapa vere etj. Nga i gjithë ai rrugëtim, pasuria më e madhe që na mbeti ishte mbështetja e qindra njerëzve të thjeshtë dhe fakti që realisht besuam dhe kuptuam se forca dhe dëshira për të ndryshuar gjërat është e rrënjosur brenda gjithsecilit prej nesh, thjesht ka nevojë të ngacmohet”.

SHKARKO APP