5 minuta me Arbanën; moderatorja rrëfen librin e ri dhe projektet në TV

Një libër i dytë. Sërish receta gatimi, që nuk të mbajnë më shumë se 5 minuta në kuzhinë. Ama të bëjnë të lëpish gishtat. Ne që e kemi provuar kuzhinën e Arbana Osmanit, mund ta themi me siguri. Moderatorja e njohur shqiptare është kthyer në tregun e librave. Me të tjera zbulime gastronomike, të cilat premtojnë një tjetër dimension të Arbanës. Paçka se ky është libri i saj i dytë me receta. “Sepse në këto 6 vite, shume gjëra kanë ndryshuar në jetën time, mes tyre edhe mënyra e të gatuarit”,-thotë Arbana në këtë intervistë për “RevistaWHO.Com”. A janë të gjitha këto receta të Arbanës, apo ka ndikuar edhe tradita e familjes dhe kuzhina e së ëmës? A e mendon ajo një restorant me emrin e saj? Ndoshta… Ne e kemi pyetur për të gjitha, ndaj ju ftojmë të lexoni për recetat, familjen, televizionin dhe te tjera…

Pas librit të parë, pse një libër i dytë kuzhine? Dhe pse pas kaq vitesh?

Sepse ashtu si i pari lindi nga dëshira për të ndarë fillimisht me miqtë e mi recetat që unë gatuaja kohët e fundit. Në këto 6 vite shumë gjëra kanë ndryshuar në jetën time, mes tyre edhe mënyra e të gatuarit, ndaj mendoj që ishte koha.

Për ata që s’të njohin nga afër dhe s’kanë shijuar gatimet e Arbanës, duket disi e pabesueshme që një vajzë ekrani, të shkojë në shtëpi, të blejë qepë e limona, po të duash edhe salmon, por ama të gatuajë edhe 3-4 pjata dhe këtë ta bëjë shpesh. I ke rrëzuar pak mitet?

(Qesh) Me thënë të drejtën njoh më shumë vajza ekrani që gatuajnë se vajza bankash e farmacish. Në përgjithësi vajzat e reja nuk para gatuajnë me dëshirë në Shqipëri dhe nuk e di pse. Ndoshta iu duket “old fashion” ose iu jep tisin e shtëpiakeve gatimi, unë mendoj që edhe duke gatuar mund të jesh ‘cool’, qofsh vajzë ekrani, modele apo prokurore.

Si ka ardhur ky pasion për kuzhinën?

Dalëngadalë, jo brenda natës. Në familjen time është gatuar gjithmonë, dhe në mënyrë pasive besoj është trashëguar tek unë. Pastaj kam gatuar për familjen time, për tim bir, për njerëzit e mi të dashur.

Ke thënë që demat janë llupësa të mëdhenj. A ka të bëjë kjo dëshira e kuzhinës me dëshirën për të ngrënë dhe për të shijuar?

Patjetër, unë nuk arrij të kuptoj dot një njeri që i pëlqen ushqimi, por nuk ka gatuar asnjëherë, realisht.

Disa nga recetat ti i ke të mamasë tënde. Sa rol ka luajtur ajo në pasionin tënd dhe si?

Nuk më ka marrë pranë sobës të më mësojë si piqet byreku ama ka gatuar çdo ditë të jetës së saj dhe vazhdon ta bëjë edhe sot. Prindërit e mi hanë jashtë vetëm kur i nxjerr unë, urrejnë restorantet dhe mendojnë se siç hahet në shtëpi nuk hahet në asnjë vend.

A i pëlqen ajo recetat e saj, por të ribëra sipas teje?

Patjetër, i pëlqen dhe i shijon shumë, por unë mendoj se ajo i bën më mirë.

Mamatë tona kanë jetuar në kohëra me më pak ushqime. A i duket se po abuzon kur përdor aq shumë përbërës për një pjatë të vetme?

Ooo ky është një diskutim i shpeshtë me time më, e cila mendon që recetat e mia janë të shkëlqyera pasi kanë brenda përbërësit më të mirë. Pastaj i bëj një pastë me domate dhe ndryshon mendim dhe thotë si mund ta bësh kaq të mirë një makaron thjesht me domate.

Ka në libër disa receta “ekzotike” që vijnë nga Lindja, falë vizitave tua atje dhe madje një kursi kuzhine. Si i ke raportet me kuzhinën aziatike? E shijon? Dhe sa të ka ndihmuar kursi për t’u perfeksionuar?

Sa herë ndodh të udhëtoj në vende të reja kujdesem të zgjedh restorantet më të mira e më të veçanta, kryesisht vendase. Në Marrakesh rezervova një kurs kuzine, por nuk munda dot të shkoj, megjithatë kuzhina e tyre e bazuar tek erëzat është shumë e thjeshtë për t’u asimiluar qoftë edhe në një javë qëndrim.

Ka ndodhur që gjatë udhëtimeve të tua, të kanë pëlqyer disa pjata dhe ke pyetur shefin e kuzhinës si i ka bërë. Në fakt, jam kurioz të di se si shkon t’i pyesësh shefat dhe si ta japin recetën?

Sigurisht që nuk i kërkoj recetat në restorantet me yjet Michelin. Kur ndodh që shefi vjen në tavolinë për të na përshëndetur, i jap komplimentat e mia për pjatën që më ka pëlqyer dhe e pyes pa turp fare se si e ka bërë.

Në këtë libër zënë një vend të madh recetat për fëmijë. Sa e ka ribërë Joni jetën tënde dhe sa e ka riformuar marrëdhënien me kuzhinën?

Joni ka ndryshuar jetën time në çdo dimension, duke e bërë më të bukur, por edhe më të lodhshme herë pas here. Me Jonin gatimi është shumë i këndshëm, por edhe sfilitës sepse ka gishta që futen në brum, tasa që derdhen, vezë që rrihen dhe pastaj derdhen, etj. Por unë vdes të gatuaj me të, është një nga kënaqësitë më te mëdha. Joni nuk gatuan vetëm me mua, por edhe me nëna Tutën e nëna Yllkën, kështu që dalëngadalë po trajnohet siç duhet.

Pasioni yt për kuzhinën, a të ka ndihmuar që të ushqesh Jonin më mirë?

Po besoj që po, edhe pse me fëmijët është e vështirë t’i ushqesh shëndetshëm në kohën kur rrethohen nga shumë gatime jo të shëndetshme. Brezi ynë vërtet është privuar nga shumë gjëra gjatë komunizmit (kur unë kam qenë fëmijë) por mungesa e çokollatave dhe gjellët e mamit na kanë bërë veçse mirë. Unë ashtu si shumë nëna përpiqem që Joni të ushqehet shëndetshëm në shtëpi, por nuk e privoj nga një picë në fundjavë apo nga kokoshkat në kinema.

A janë recetat e tua për të gjithë, apo i drejtohen vetëm një grupi të caktuar?

Sigurisht që janë për të gjithë, ndoshta nuk janë idealet për shefat e kuzhinës sepse mund të duken shumë bazike, por patjetër janë për të gjithë.

Kush i provon i pari ushqimet e tua? Pra përveç vetes, tek kush ke besim për shijet?

Familja dhe miqtë e mi. Njerëzit që më duan më shumë dhe bëjnë vërejtjet më të shumta.

E ke menduar veten në një sipërmarrje përtej kuzhinës së shtëpisë, një restorant?

E kam menduar disa herë dhe deri tani ka qenë problem i kohës sime shumë të kufizuar për t’u marrë me një restorant. Programi im në tv gjysmën e vitit më merr shumë kohë dhe energji dhe do e kisha të pamundur të menaxhoja siç duhet një restorant.

Ku e gjen kohën Arbana, të punojë, t’i kushtojë kohë Jonit, të punojë? Sa orëshe është dita jote?

Oh gjendet koha gjendet, por kam gjithashtu suportin e familjes sa herë kam nevojë.

Prej tre vitesh të shohim në ekran vetëm me “Dua të të bëj të lumtur”. S’të pëlqen ty të angazhohesh, s’ka propozime për formate interesante, apo çfarë ndodh?

Besoj që në televizion më shumë se në çdo fushë tjetër, njerëzit që profilizohen në një program të caktuar, për shkak të familjaritetit që fiton programi, kanë më tepër sukses. ‘Dua të të bëj të lumtur’ është një nga programet më të mira dhe më të ndjekura prej 3 vitesh në “Top Channel”. Unë jam e kënaqur, tv është i kënaqur, audienca gjithashtu, përse duhet të ndyshojmë?

Në “Top Channel” pritet të rikthehet “Big Brother”, një format tepër i dashur për ty. Do ta drejtosh ti sërish?

Të them të drejtën nuk e di. Unë kam dilemat e mia për rikthimin e formatit dhe realizimin e tij me standartet e dikurshme. Ka shumë faktoreë që më bindin të drejtoj një program të caktuar. Me “Big Brother” këta faktorë nuk i kam vlerësuar akoma.

Pas një kohe me aktivitet të dobët në rrjet, tanimë ‘Instagrami yt’ është shumë aktiv. Për çfarë vë re se kanë më shumë interes ndjekësit?

Story-t e mia me gatime marrin mbi 200 mijë shikime dhe kjo ka qenë një befasi e madhe për mua. Kisha menduar që si çdo person publik do kishin kuriozitet për jetën time private, por ndjekësit e mi kanë respektuar absolutisht dëshirën time për privatësi në periudha të caktuara dhe unë s’mund të jem më e lumtur për këtë.

Burimi: Revista Who

SHKARKO APP