”Albania” në Euro 2024, Capital T për këngën: Ideja është t’i tregojmë botës vlerat tona
“Albania”, titullohet kënga nga artisti kosovar Capital T, e krijuar për ekipin kuqezi për ”Euro 2024”. Ai thekson se kënga është pëlqyer shumë dhe ka pasur si synim mbështetjen e kombëtares si dhe promovimin e vendit.
Trim Ademi (Capital T): Unë kam dashur të krijoj diçka që ka për të përfaqësuar gjeneratën e re. Kam dashur t’i këndoj Shqipërisë për qef. Kam dashur të prezantoj Shqipërinë në komunitetin Europian, por edhe botëror në një mënyrë të denjë me një këngë pozitive që përshtatet edhe me kohën kur mbahet kampionati, verore.
Thjesht për të promovuar vendin, të gjithë ata që do të shohin këtë projekt, por edhe për të mbështur përfaqësuesen dhe të gjithë tifozët edhe ne si popull shqiptarë. Motivet kanë qenë të gjitha pozitive edhe për të treguar Shqipërinë moderne.
Ndërkohë gjatë intervistës së tij këngëtari Trim Ademi u shpreh se për realizimin e këngës janë dashur rreth tre muaj kohë edhe pse si ide ka lindur shumë më parë.
Trim Ademi (Capital T): Kemi pasur goxha. Kemi tre muaj që po punojmë me detaje. Po krejt ideja është me i tregu botës që jeni të mirëseardhur në Shqipëri, vlerat tona. Ka edhe instrumenta tonat autoktone të tonat që janë autentike dhe unike që jemi munduar si tinguj t’i përfshijmë. Jemi munduar ta trajtojmë në detaje.
Na ka marrë nja tre muaj kohë me klipin dhe me këngën duke ndryshuar vargjet. Jam fut nja 10 herë në studio. Mirëpo mendoj që më në fund e kemi nxjerrë produktin final ashtu siç i ka hije.