Altin Goci hap zemrën: Nga RITFOLK te jeta private dhe dashuria 20-vjeçare me Irenën
Këngëtari i njohur Altin Goci, një nga figurat më të dashura të muzikës shqiptare që nga vitet ’90, ka ndarë sot kujtime nga karriera e tij muzikore dhe jetesa private, gjatë intervistës në emisionin “Galeri” me Edi Manushin.
Ai foli për dashurinë e tij për grupin RITFOLK, duke kujtuar me nostalgji këngën e tyre të parë, “Sa dua të jem larg”, që i bëri të famshëm:
“Unë kam një modestinë të tepruar. Në kohën e sotme duhet të jesh i gjithanshëm, unë bëj atë që di. E dashuroj profesionin tim, ashtu si më vjen. Këto këngë janë edhe dashuria e brezave që kanë jetuar në kohën tonë. I kam shokë të pandarë këto këngë.”
Altin Goci ndau gjithashtu histori nga origjina e tij, duke folur për gjyshërit që sipas tij ishin idealistë komunistë dhe se në shtëpinë e tyre në Shkodër është themeluar partia:
“Bab Xhemali ishte aktivist i grupit të rinjve të Shkodrës. Bashkë me gjyshen, të dy ishin komunistë idealistë. Dhanë gjithçka për lëvizjen antifashiste. Tek shtëpia e tyre është themeluar partia më 8 nëntor. Ata ishin qiraxhinj dhe aty vinin komunistët dhe pinin verë. Pas çlirimit, patën pasojat e sistemit: dajën e futën në burg dhe e internuan, ku edhe vdiq.”
Këngëtari foli edhe për Irenën, bashkëshorten me të cilën ka 20 vite martesë, duke e cilësuar si muzën e tij dhe shokun më të ngushtë:
“Kemi 20 vite së bashku, një dashuri e vazhdueshme. Irena është tipi im i preferuar, rebel dhe unik. Njëherë i kemi prerë flokët të dy të shkurtër dhe na thoshin ‘tenxherja me kapakun’. Dashuria merr forma të ndryshme me ardhjen e fëmijëve. Ajo është gjithmonë e para që dëgjon këngët e mia të reja. Nuk bëjmë dot pa njëri-tjetrin; jemi rritur bashkë.”
Intervista nxorri në pah jo vetëm karrierën e pasur muzikore të Altin Gocit, por edhe anën njerëzore dhe familjare të një prej ikonave të muzikës shqiptare.
KOHA JONË SONDAZH

