Amadeus po bën të pamundurën për festival me publik

Amadeus ka zbuluar detaje të reja për ‘Sanremo’, por kryesorja është fakti që sipas tij këtë vit duhet të bëhet e pamundura që festivali më i rëndësihsëm italian të realizohet me publik. Gazetari i njohur ka qenë i ftuar në një emision radiofonik dhe aty ka folur për çdo detaj që po diskutohet deri më tani.

“Sanremo nuk mund të realizohet pa publik në ‘Aristonin’ bosh. Po punojmë që në 2 deri në 6 mars të mundemi ta vëmë në skenë”, është shprehur Amadeus.

Ndër të tjera ai ka thënë që shëndeti i të gjithë të punësuarve është kryesori, po ashtu edhe i publikut. E gjithë trupa organizative po përpiqet për ta realizuar festivalin me publik, nën masa të rrepta siguri, ka treguar drejtori artistik i festivalit.

Po a e kanë gjetur një mënyrë për ta organizuar në këtë formë festivalin? “Kemi idenë e krijimit të një ‘flluske’ mbrojtëse për 500 personat që do të jenë publik në netët e festivalit. Publiku nuk do të ndërrohet, të gjithë personat e pranishëm do të jenë të njëjtën të gjitha netët e festivalit. Do krijohet ideja e pushimeve një javore për ta. Çdo ditë secilit prej tyre do i realizohet tamponi dhe do dërgohen në teatër me autobuzë që mbajnë maksimumi 20 persona brenda. Nuk është e lehtë, por mund të bëhet, kjo ide po konkretizohet”, ka thënë më tej Amadeus.

Drejtori artistik ka theksuar se është një kohë e vështirë për muzikën italiane. Sipas tij shumë artistë kanë muaj që nuk punojnë dhe ‘Sanremo’ duhet të japë ndihmën e tij për artin italian.

SHKARKO APP