Angelina Jolie, Brad Pitt arrijnë në një marrëveshje për divorcin, tetë vjet pasi u ndanë

Dy nga aktorët më të njohur në botë, Angelina Jolie dhe Brad Pitt kanë arritur një marrëveshje për divorc tetë vjet pasi u ndanë, kapitulli i fundit në një prej divorceve më të gjata dhe më të vështira në historinë e Hollivudit.

Jolie dhe Pitt nënshkruan një deklaratë të paraqitur në Gjykatën e Lartë të Los Angelesit të hënën, ku thonë se kanë arritur një marrëveshje me shkrim për të drejtat e tyre martesore dhe pronësore.

Revista People ishte e para që njoftoi për marrëveshjen.

“Më shumë se tetë vjet më parë, Angelina bëri kërkesë për divorc nga zoti Pitt”, tha avokati i aktores Jolie, James Simon, në një deklaratë. “Ajo dhe fëmijët hoqën dorë nga të gjitha pronat e përbashkëta me zotin Pitt, dhe që nga ajo kohë ajo është fokusuar në gjetjen e paqes dhe shërimit për familjen e tyre. Kjo është vetëm një pjesë e një procesi të gjatë që filloi tetë vjet më parë. Angelina është e lodhur, por ajo e lehtësuar që kjo pjesë mbaroi.”

Dokumenti thotë se ata heqin dorë nga e drejta për çdo mbështetje financiare të ardhshme bashkëshortore, por nuk jep detaje të tjera. Një gjyqtar duhet të nënshkruajë marrëveshjen që ajo të hyjë në fuqi.

Avokati i zotit Pitt nuk iu përgjigj menjëherë një emaili për koment të hënën vonë.

49 vjeçarja Jolie dhe 61 vjeçari Pitt, ishin ndër çiftet më të njohura të Hollivudit për 12 vjet, për dy prej tyre si çift i martuar.

Fituesit e çmimit Oskar kanë gjashtë fëmijë së bashku.

Jolie bëri kërkesë për divorc në vitin 2016, pas një udhëtimi me avion privat nga Evropa, gjatë të cilit ajo tha se Pitt abuzoi fizikisht me të dhe fëmijët e tyre. FBI ndërmori një hetim por pas dy muajsh tha se do ta ndërpriste atë dhe prokurorët nuk ngritën akuza pasi sipas një raporti të FBI-së “u ra dakord nga të gjitha palët që akuzat penale nuk do të ndiqen”.

Megjithë marrëveshjen për divorcin, një betejë ligjore mes dy aktorëve lidhur me një vreshtë dhe kantinë vere në Francë që ata e kishin në bashkëpronësi, gjysmën e vet të së cilës zonja Jolie nuk ia shiti zotit Pitt por një entiteti tjetër, mund të vazhdojë.

Zoti Pitt tha se veprimi i ish-gruas së tij ishte “hakmarrës” dhe “i paligjshëm”. Zonja Jolie dhe avokatët e saj thanë se zoti Pitt kishte kërkuar që ajo të nënshkruante një marrëveshje për të mos folur publikisht shumë kufizuese, që ata thanë se ishte një përpjekje për të mbuluar abuzimin e tij ndaj saj dhe fëmijëve.

Publikisht, si Pitt ashtu edhe Jolie kanë qenë jashtëzakonisht të rezervuar për gjithçka rreth ndarjes së tyre. Pitt tha në një intervistë të vitit 2017 me revistën GQ se ai kishte pasur një problem me alkoolin në kohën e incidentit të avionit dhe ndarjes, por që atëherë kishte lënë pijen dhe po shkonte në terapi.

Ai nuk e ka mohuar përgjegjësinë për sjelljen e tij në udhëtimin me avion.

Të dy aktorët ishin ndër yjet më të mëdhenj të kinematografisë kur filluan marrëdhënien e tyre në vitin 2004, pasi interpretuan së bashku në filmin “Mr. and dhe Mrs. Smith”. Jolie fitoi një Oscar për interpretimin e saj në filmin “Girl, Interrupted” të vitit 1999. Pitt gjithashtu fitoi një Oscar për filmin “Once Upon a Time… in Hollywood” të vitit 2019.

VOA

SHKARKO APP