Arilena në Eurovision 2021? Flet menaxheri i këngëtares
Si çdo aktivitet edhe Festivali Europian i Këngës u anulua. Ndër të tjera u tha se shtetet mund të zgjidhnin të ridërgonin të njëjtët këngëtarë, gjë që vendosi në pikëpyetje nëse Arilena Ara do të jetë e përzgjedhura edhe për vitin 2021 dhe nëse po, ç’do të ndodhë me Festivalin e Këngës. Deri më tani Radio Televizioni Shqiptar nuk ka dalë ende me një deklaratë zyrtare, pasi siç theksoi menaxheri i Arilenës, Popi Kola, “është ende herët”.
Në një intervistë për “Rreze Dielli” në Report Tv, Kola u shpreh se “Padiskutim që “Fall from the sky” është projekti më i rëndësishëm i Arilenës dhe nuk diskutohet që ne e kemi punuar me shumë dashuri një muaj të tërë në Kaliforni. Eurovisioni ishte gjëja e fundit që duhet të mendonim. Në mënyrë jo zyrtare e kishim marrë vesh dhe nuk kishte ndonjë alternativë më të mirë se shtyrja ose anullimi për këtë vit për hir të së vërtetës. Në art nuk duhet të jesh gjysmak. Eurovisioni ose duhej të bëhej siç duhej, ose jo”.
Në vijim shtoi edhe se “Ideja nuk është që ne të marrim pjesë ose jo. Ideja është që materiali muzikor, i cili nuk është i njëjti, kush do jetë ai material muzikor e para [sic]. Nuk është aq e thjeshtë të mundësh veten, sepse duhet të vish me diçka më të mirë”.
Në fund të intevistës, ai u shpreh se janë disa procedura që duhen ndjekur. “Për të qenë realistë, ne nuk kemi asgjë zyrtare tashmë sepse Radio Televizioni Shqiptar ende nuk ka një përgjigje. Besoj se është shumë shpejt, sepse është një festival për t’u bërë dhe nëse do të jemi në këtë gjendje, festivali nuk do të bëhet. Janë disa procedura që Radio Televizioni duhet t’i ndjekë. Nëse do të jetë e njëjta këngëtare apo forma që do të rikandidohet, ose do të jetë një këngëtar i ri. Kështu që ende nuk kemi shkruar në atë pikë që të vendosim apo të shohim një version përfundimtar”.