Arilena “thyen në mes” këngëtaret e njohura në Kazakistan
Nuk është e njohur dhe e suksesshme vetëm në Rusi. Kazakistani, shteti i nëntë në botë për nga sipërfaqja, është një tjetër vend i Evropës Lindore që Arilena Ara e ka magjepsur me “Nëntori”-n e saj. Nesër këngëtarja shqiptare do të marrë pjesë në festivalin më të madh të Kazakistanit të njohur në arenën ndërkombëtare, i cili zhvillohet në kryeqytetin e vendit.
“The Voice of Astana” është një festival shumë i rëndësishëm ndërkombëtar që mbledh në Astana artistët më të suksesshëm të momentit nga e gjithë bota. Arilena Ara do të këndojë krahas Willy William, Eva Simons, Arash dhe këngëtarëve të tjerë të suksesshëm të Evropës Lindore.
Këngëtarja shqiptare do të marrë edhe trofeun e këngës më të dëgjuar të vitit në skenën e stadiumit të qytetit ku do mbahet festivali, nesër, në 27 gusht, pas performancës së saj.
“Nëntori” tani ka edhe versionin anglisht “I’m sorry”, megjithatë është për t’u theksuar që edhe në shqip, kënga e Darko Dimitrov, u pëlqye dhe u ngjit në krye të klasifikimeve të shumë shteteve.