Armina Mevlani në festën e ditëlindjes së saj (Foto)

Në lidhje me 25 vjetorin e saj ja çfarë shkruan Armina Mevlani:

Teksa dita e përvjetorit tim të 25-të po afronte, ndihesha e lumtur, por edhe pak çuditshëm kur mendoja se si kaluan aq shpejt tërë ato vite dhe se si janë mbledhur kaq shumë kujtime nga këto 25 vjet. Fjala e duhur për ta përshkruar periudhën e pritjes së asaj dite, do të ishte që jam ndier “nostalgjike”. Duke menduar se si do ta bëja festën apo çfarë teme duhej të zgjidhja, ajo që më shkoi ndër mend, ishin vitet `70, jo vetëm në stilin e atyre viteve ku ka triumfuar vërtet diversiteti i modës, por edhe nga këngët e atyre viteve, si fanse e madhe e ABBA apo The Doors.

Kështu, duke e gjetur veten mirë në këto vite, por duke menduar edhe që për të ftuarit do të ishte veshja më e thjeshtë, vendosa si tematikë “Discoball `70s”. Ditën e ditëlindjes sime, teksa të ftuarit vinin, kisha shumë emocione, jo vetëm se si do të dilte festa, por edhe nëse do të kënaqeshin të ftuarit. U ndjeva e vlerësuar që të gjithë erdhën dhe që nuk munguan surprizat e pafundme që ata kishin organizuar për mua, dhe për këtë arsye, mbrëmja u hap me një fjalim falënderues për miqtë, familjen dhe të dashurin e zemrës, të cilët më ndodhen afër gjatë gjithë vitit dhe për këtë ndihem e bekuar. Në fillim të mbrëmjes, DJ luante vetëm këngë të viteve `70, ashtu sikurse e kisha porositur, brenda stilit të ditëlindjes. Të gjithë po kërcenin derisa erdhi ora 12:00 dhe më kërkuan që të dilja jashtë, teksa ata nisën të dilnin me nxitim. Fillimisht, mendova se ishte për shkak të tortës, por njerëzit po flisnin për një surprizë që unë nuk e prisja, por ata e dinin.

a2 a4 a5 a6 a7 a1 a11 a10 a8 a9 a3

Zemra po më dilte nga kraharori dhe pasi shpreha dëshirën disi e hutuar dhe fryva qirinjtë e tortës së bukur, isha tepër e hutuar për të kuptuar se ato fishekzjarrë të mëdhenj që po ndriçonin qiellin, ishin enkas për mua: më saktë, nuk po e besoja. Zeni, dashuria ime, më përqafoi duke më uruar i pari me këtë surprizë kaq të veçantë. I shijuam të dy, ashtu të përqafuar fishekzjarrët, dhe mund të them se ishte një kujtim i paharrueshëm dhe aq i veçantë saqë më la pa fjalë. Pasi  fishekzjarrët mbaruan, vajza e tezes sime, e cila është si motër për mua, po organizonte ngritjen në qiell të 25 balonave të dëshirave. Shumë prej të ftuarve, bashkë me mua, ngritëm në qiell nga një balonë me nga një dëshirë dhe shihnim se si ato veniteshin në qiell, ngadalë dhe të vendosura sikur premtonin vërtet realizimin e dëshirave. Mbeta shumë e emocionuar dhe nuk po gjeja fjalë të falënderoja të afërmit e mi. Pasi u futëm  brenda, mikeshat e mia më dhanë gjithashtu një dhuratë speciale: një kornizë me kujtimet e mia me foto ndër vite, një dhuratë që do të zërë gjithmonë murin e dhomës sime. Pas mesnate ishte dhe koha e kërcimit të dashurisë. Pasi shijuam tingujt e violonçelistit të ftuar në ditëlindjen time dhe të gjitha lulet e miqve të mi u vendosën në ambientin e kërcimit, aq sa nuk po dija cilat të nuhasja dhe të mbaja të parat, ftova njeriun tim të shtrenjtë të zemrës për kërcimin tonë të parë të dashurisë nën këngën “Secreto de Amor”.

Ndonëse unë jam adhuruese e kërcimit, edhe Zeni ia doli më së miri dhe mund të them që edhe ky kërcim do të mbetet gjatë në mendjen time, si pjesë e rëndësishme e asaj nate, pasi tingujt e këngës, fjalët e saj dhe çdo lëvizje, ishte sikur të shprehte dashurinë tonë të pafundme.

Kur ajo natë mbaroi, nuk më mbetej asgjë tjetër, përveçse të falënderoja njerëzit e mi dhe gjithashtu Zotin, jo vetëm për dhuratat apo surprizat, por për faktin që ndjeva kaq shumë dashuri rreth meje, ndjeva një përkushtim maksimal dhe kaq njerëz që dua dhe më duan, saqë mendova se jam vërtet me fat, më shumë se çdo herë tjetër, pasi janë pikërisht këto gjëra, që duke u rritur dhe me kohën, njeriu i vlerëson më shumë se çdo gjë tjetër në botë.

SHKARKO APP