Babai i Noizyt: Ma qëlluan djalin me armë por ai i sakatoi me grushte

Sherri mes rrepave në qendër të Prishtinës, ka përfshirë në debat dhe familjarë. Babai i Noizyt, Bashkim Rajku, në një prononcim për një gazetë, është shprehur se djali i tij është si “kokrra e mollës”. Më tej ai ka kërcënuar se, reperi Cozman dhe të gjithë ata që qëlluan ndaj djalit të tij, do të përgjigjen.

“Noizy është shëndoshë e mirë, si kokrra e mollës. Është gjuajtur me një pistoletë kalibër shumë të vogël, dhe ka marrë një gërvishtje të lehtë në këmbë. Dhe nuk është aspak e vërtetë që është plagosur në kokë. Noizy të martën në mbrëmje ka performuar në Ferizaj me program të plotë. Madje salla ku është mbajtur koncerti ka qenë më plot se herët e tjera”, ka deklaruar Bashkim Rajku për “Gazeta Shqiptare”.

Lajmin e sherrit ai e ka marrë vesh nga mediat. Ai tregon se si e gjeti në Kosovë Rigelsin. “Kur e pashë, ishte duke qeshur. ‘S’kam asgjë’, më tha, ishte fare i qetë. Dhe me të vërtetë nuk kishte asgjë; sapo mori mjekimin doli menjëherë nga spitali”, ka thënë babai i këngëtarit të mirënjohur.

Duke folur për shkaqet pse debati degjenori në këtë fazë, ai shpjegon arsyet që çuan në këtë konfrontim. Sipas Bashkimit, grupimi “Babastars” i ka sulmuar djemtë sapo i ka parë, me qëllim poshtërimin e reperit. “Ata kanë qenë të përgatitur për ta frikësuar, se kanë qenë edhe me kamera me vete. Kanë menduar se Noizy do t’u dorëzohej që ta poshtëronin, po kur e kanë parë veten të shtrirë për tokë, atëherë kanë qëlluar me armë. Po kjo është një pabesi që i është bërë, se askush nuk i gjuan tjetrit në shtëpinë e vete. Edhe pse kanë qenë me armë në dorë, Noizy prapë i ka rrahur, i ka sakatuar. Kjo është historia”.

Ai ka akuzuar dhe policinë, duke u shprehur se:“Përsa i përket Policisë së Kosovës, shumë e dobët, shumë e paaftë. Ka qenë aty kur është zhvilluar ngjarja dhe s’ka mundur të bëjë asgjë. Është dashur që Noizy të vetëmbrohet. Noizy me grushte dhe ata me armë”, përfundon Bashkimi.

SHKARKO APP