Bebe Rexha, një mesazh në gjuhë popullore për Shqiptarët

Pak ditë më parë u konfirmua zyrtarisht se Bebe Rexha do të vijë në 9 shtator në Tiranë.

Megjithatë këngëtarja me famë ndërkombëtare ka dhënë konfirmimin e saj në shqip në Instagram.

Ja çfarë i thotë ajo shqiptarëve: “Shqipëri! Bëhu gati!Tirana une do performoj ne 9 shtator!! Ju rujt zoti tgjithve!”.

Platforma muzikore e Deutsche Telekom, Electronic Beats, do të sjellë për herë të parë në Tiranë yllin më të ri të muzikës elektro-pop, Bebe Rexhën, si dhe legjendën britanike Fatboy Slim!

26 vjeçarja me origjinë shqiptare, e cila ka spikatur si autore tekstesh e shumë këngëve të njohura të yjeve të muzikës ndërkombëtare, por edhe për stilin e saj unik si këngëtare, do të performojë në Sheshin “Nënë Tereza” të premten, më 9 shtator. Në këtë mbrëmje të paharrueshme, Bebe Rexha do të magjepsë publikun shqiptar me hitet e saj më të fundit si “No broken hearts” apo “I can’t stop drinking about you”, të cilat i dhanë hov suksesit të saj si këngëtare.

Një tjetër artist i madh, DJ britanik Fatboy Slim, do të elektrizojë gjithashtu mbrëmjen e 9 shtatorit në Sheshin “Nënë Tereza”! Fatboy Slim është ndër të paktët DJ në botë i vlerësuar me 10 Çmime MTV dhe dy Çmime Brit Awards, dhe shquhet për performanca novatore dhe miksime të pakrahasueshme në skenë.

Surprizat e 9 shtatorit nuk mbarojnë këtu, Electronic Beats sjell gjithashtu Honne, dyshen avangarde të muzikës elektro-soul. Dy djemtë britanikë, të cilët kanë krijuar një identitet unik muzikor, do të debutojnë për publikun shqiptar këngë nga albumi i tyre më i fundit “Warm on a Cold Night” i prezantuar në Korrik.

Bebe Rexha, Fatboy Slim dhe Honne i bashkohen emrave të tjerë të njohur të arenës muzikore të sjellë në Shqipëri nga Festivali Elektronic Beats gjatë muajve të fundit. Electronic Beats u prezantua për herë të parë për publikun shqiptar nëntorin e kaluar përmes një formati krejt të ri, atë të Electronic Beats Night Club. Që atëherë, performancat live të disa prej DJ-ve më të njohur në botë kanë argëtuar rininë shqiptare me koncertet e tyre në qytete dhe pika turistike si Tirana, Saranda apo Plazhi i Llamanit së fundmi.

Me Electronic Beats, platformën e saj muzikore ndërkombëtare, Deutsche Telekom po sjell një koncept dhe tendencë të re muzikore në Shqipëri, duke krijuar për të rinjtë momente të paharrueshme që ata mund t’i ndajnë me njëri-tjetrin.

Electronic Beats i mirëpret të gjithë fansat e muzikës bashkëkohore dhe elektronike të premten, 9 shtator, në orën 18:00, në Sheshin “Nënë Tereza”.

 

SHKARKO APP