Blogerja e njohur shqiptare, në pritje të fëmijës së tretë
Estela Ujka, një prej blogereve më të njohura dhe më të ndjekura shqiptare, është në pritje të ëmbël. Nëna e dy vajzave që na ka treguar se edhe me forma të rrumbullakosura mund të dukesh fashion, sapo ka lajmëruar se ka hyrë në një fazë të re duke pritur në familjen e saj një pjesëtar të ri.
Lajmin, blogerja e ka ndarë me publikun edhe në Instagramin e saj, por më herët edhe përmes një interviste në revistën Living, ku rrëfen ndër të tjera, se shenjat e shtatzënisë i ka kuptuar gjatë pushimeve në Turqi: “E ndieja që nuk i afrohesha dot ushqimit dhe mendoja që kjo vinte si pasojë e sasisë që ofrojnë resortet andej duke mos e kuptuar që ndjesia e perzjerjes vinte nga tjetër shkak. Sapo u ktheva në Shqipëri, bleva testin duke shpresuar që ishte thjesht një vonesë, por me sa duket nuk ishte ashtu. Mund te them që ndryshe nga 2 shtatzanitë e para, tek kjo ndiej më shumë frikë e pasiguri se si do shkojë, por dhe si do e përballoj ngarkesën më pas. Barku në shtatzëninë e 3-të dilka më herët dhe femra bëhet shumë më e ndjeshme. Mund të them që lajmi nuk ishte fare i papritur për bashkëshortin tim që me sa duket kësaj here e paska pasur qëllim në vetvete dhe sigurisht që ishte një lajm shumë i bukur për vajzat, të cilat prej kohësh kërkonin një vëlla të vogël, edhe pse i kanë dy më të mëdhenj nga babai. Vajzat na u rritën dhe unë mendoja që na mjaftonin për familjen ideale që kisha në kokë. Por, me sa duket dhe një pjesëtar i ri do gjejë vend të ngrohtë në strehën tonë. Ah, përveç qenit, mos e harrojmë!” – ka thënë Estela për revistën.
Ndërsa në Instagramin e saj, me një foto me dy vajzat, Estela shkruan: “Oops i did it again! Miq kam kënaqësinë të ndaj me ju lajmin e bukur që familja jonë do shtohet me një pjestar të ri. 3-shi i ëmbël i Estelës ka lidhje me këtë lajm. Na pret një rrugetimi stili ndryshe me barkun e madh dhe unë jam e bindur që ju do më ndiqni me po aq kënaqësi e dashamirësi si e keni bërë deri tani.”
Me siguri, edhe me barkun e madh e me ca kile më shumë, Stela do të jetë njëlloj frymëzim për të gjitha vajzat që besojnë se të jesh fashion dhe me stil nuk ka kurrfarë lidhje me peshën.