“Blow Your Mind (Mwah)” e Dua Lipës, më e kërkuara në SHBA
Kënga e artistes nga Kosova kryeson listën e Billboard + Twitter Emerging Artists Chart që rendit artistët në bazë të volumit të shpërndarjeve të këngëve të tyre në Twitter.
Këngëtarja kosovare me këngën e saj të re “Blow Your Mind (Mwah)” ka mposhtur Snakehips & Zayn me këngën e tyre “Cruel “ duke e zhvendosur atë në vend të dytë në tabelën e Billboard + Twitter Emerging Artists Chart.
Billboard +Twitter Emerging Artists është një renditje javore e këngëve më të shpërndara ose të përfolura në Twitter në SHBA që radhiten në bazë të numrit të shpërndarjeve të këngëve, gjatë një periudhe shtatë-ditore (nga e hëna deri të dielën).
Lipa ka fituar për herë të dytë kryesimin e tabelës pasi edhe kënga paraprake “Be the One” kishte kaluar një javë në pozitën e parë në tabelën e datës 7 maj.
Videoklipi i Dua Lipës “Blow Your Mind (Mwah)” prej lansimit më 12 shtator, ka tërhequr 1.7 milion shikime globale.
“Cruel” të cilin e zhvendosi në vend të dytë hiti i këngëtares kosovare, ishte në vendin e parë për shtatë javë. Në tabelën Billboard + Twitter Emerging Artist ka hyrë “Blood on Me” nga Sampha e cila debuton në nr 9 pas lansimit të videoklipit të këngës në YouTube më 16 shtator./KultPlus