Ceremonia Oscar shënoi një rekord negativ

Ceremonia e 92-të e çmimeve Oscars, shënoi një rekord negativ për sa i përket shikueshmërisë.

Edhe pse konsiderohet si një nga spektaklet më të bukura dhe më të ndjekura nga publiku amerikan, Academy Awards i këtij viti u ndoq nga 23.6 milionë shikues, shifra më e ulët regjistruar ndonjëherë.

Sipas rrjetit ABC, shikueshmëria ra me 20% në krahasim me ceremoninë e vitit të kaluar, që tërhoqi 29.6 milionë shikues.

Organizatorët e justifikojnë këtë fakt me arsyen se edhe këtë herë, ashtu si një vit më parë, ceremonia nuk kishte një prezantues kryesor. Në rënie ndikuan edhe një sërë faktorësh si kohëzgjatja e ceremonisë apo programe të tjera që transmetohen në të njëjtën orar.

Kjo rënie pason atë të shikueshmërisë në çmimet Grammy dhe Emmy, dhe ndjek një qasje gjithnjë e më indiferente të të rinjve ndaj televizionit.

Më parë, viti 2018 mbante rekordin për vitin me shikueshmëri më të ulët, me 26.5 milionë njerëz të cilët qëndruan të mbërthyer pas televizorit për të parë yjet e Hollywood-it të parakalonin në tapetin e kuq për ceremoninë më të rëndësishme të kinematografisë.

Megjithatë, pavarësisht shifrave në rënie, ceremonia e çmimeve Oscar mbetet shfaqja më e ndjekur në Amerikë.

SHKARKO APP