Chrissy Teigen dhe Legend humbin fëmijën: Dhimbja më e madhe që kemi ndjerë
Modelja Chrissy Teigen dhe bashkëshorti i saj, John Legend, kanë humbur fëmijën.
“Duke shkuar në shtëpi pa fëmijë. Si mund të jetë e vërtetë kjo,” shkroi ajo në Twitter.
Më pas në një postim në Instagram, Chrissy u shpreh se pavarësisht transfuzioneve të gjakut, bebi nuk ishte në gjendje të merrte lëngjet e nevojshme.
“Jemi të tronditur dhe në një dhimbje të madhe, të cilën nuk e kemi përjetuar kurrë më parë. Nuk qemë në gjendje të ndalonim gjakderdhjen dhe t’i jepnim bebit lëngjet e nevojshme që i duheshin, pavarësisht transfuzioneve të gjakut. Thjesht nuk mjaftonte.
Ne nuk i kemi vendosur kurrë emrat e fëmijëve deri në momentin që kanë ardhur në jetë. Por, për disa arsye, kishim nisur ta quanim djalin tonë të vogël Jack. Kështu ai do të jetë gjithmonë Jack për ne. Jack u mundua kaq shumë që të ishte pjesë e familjes sonë dhe do të jetë, përgjithmonë.
Për Jack-un tonë të vogël – më vjen keq që në momentet e para të jetës tënde u takuam me kaq shumë probleme, sa që nuk mund të të jepnim shtëpinë që të duhej për të mbijetuar. Do të të duam gjithmonë.”
Në fund të postimit, Chrissy thotë se “ditët s’do të kenë gjithmonë diell, por ne do ta përqafojmë dhe duam njëri-tjetrin dhe do t’i kalojmë të gjitha,”.
Rrëfimi i dhimbshëm vjen nga modelja, vetëm disa ditë pasi ajo bëri publike në rrjete sociale problemet e shtatzënisë. Teigen u shpreh se placenta e saj është shumë e dobët duke pranuar se ka qenë në spital pasi situata e hemoragjisë sa vinte e përkeqësohej.
Jack do të ishte fëmija i tretë i çiftit. Ata janë prindër të vajzës 4 vjeç, Luna Simone, dhe djalit Miles Theodore, 2 vjeç.