Coldplay me koncert falas në Indi
Organizata “Global Citizen Festival”, që zhvillon spektakle dhe fitimet i përdor për të luftuar varfërinë ekstreme, njoftoi se grupi i famshëm britanik Coldplay do të zhvillojë koncertin e tij të parë në Indi më 19 nëntor, në Bombei, ku spektakli do të jetë falas. I krijuar në vitin 2012, ky festival zhvillohet çdo vit në Central Park në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të nxitur liderët e gjithë botës të mbledhur në Kombet e Bashkuara që të reagojnë kundër varfërisë. “Ashtu si festivali ynë vjetor në Central Park, biletat për festivalin në Indi do të jenë falas. Fansat mund t’i fitojnë duke zhvilluar veprime për të mbështetur edukimin, barazinë, apo duke marrë pjesë në fushata sanitare”, thuhet në faqen zyrtare të organizatës. Koncerti i “Coldplay” do të zhvillohet me rastin e “ditës botërore të tualeteve”, që përqendrohet mbi problemet sanitare në shumë vende dhe kryesisht në Indi, ku gjysma e popullsisë nuk ka akses në tualete, që përbën një rrezik madhor për shëndetësinë e popullsisë.