Covidi i pengon “Rolling Stones” të shkojnë në funeralin e shokut të ndjerë!
Javën e kaluar u zhvillua funerali i bateristit të ndjerë të grupit legjendar “Rolling Stones”, Charlie Watts. Mirëpo për fat të keq shokët e tij të bandës muzikore nuk mundën të ishin të pranishëm.
Tabloidi britanik “The Sun” shkruan se asnjëri nga tre anëtarët e grupit, nuk ishin në gjendje të ndiqnin ceremoninë e vogël private të mbajtur në Devon.
Sipas gazetës, për shkak të kufizimeve të Covidit, si Mick Jagger ashtu edhe Keith Richards dhe Ronnie Wood, u detyruan të qëndrojnë në Boston. Atje ata po bënin prova për turneun e planifikuar në SHBA.
Ky turne fillon më 26 shtator në St. Louis, Missouri. Funerali i Watts thuhet se u zhvillua në mënyrë diskrete dhe pa krijuar zhurmë për të respektuar dëshirën e familjes së tij për privatësi, por edhe për t’ju përshtatur karakterit të bateristit 80-vjeçar.
Një burim i tha “The Sun” se grupi do t’i kushtonte homazhe shokut të bandës në shfaqjet e ardhshme në SHBA dhe se gjithashtu po planifikonin një festë në nder të tij më vonë këtë vit në Mbretërinë e Bashkuar.
Kujtojmë se grupi kishte njoftuar prej kohësh se këtë vit do të mbante një turne në SHBA, por më 5 gusht u dha lajmi se bateristi, do të mungonte.
Gjatë dy javëve të fundit, pjesa tjetër e grupit po bënin prova në Shtetet e Bashkuara me një tjetër baterist legjendar, Steve Jordan, i cili thuhet se kishte pranuar pasi kishte marrë bekimin e Ëatts.
Në një deklaratë, Watts kishte thënë: “Pas gjithë zhgënjimit me vonesat në turne të shkaktuara nga Covidi, unë me të vërtetë nuk dua që fansat e Stones në Shtetet e Bashkuara të njoftohen për një shtyrje ose anulim tjetër. Prandaj i kam kërkuar mikut tim të ngushtë Steve Jordan që të shkojë për mua.”
Charlie Watts u nda nga jeta më 24 gusht në një spital në Londër. Ai ishte i martuar prej 57 vitesh me gruan e tij Shirley, me të cilën ka një vajzë, Seraphina. E bija e bateristit të njohur është sot 53-vjeçe dhe ka një vajzë 24-vjeç, Charlotte.