Deklarata për shëndetin mendor mund të jetë problematike
Për fat të mirë, pas kaq shumë vitesh që konsideroheshin si “tabu” ose “turp” dhe nuk preferohej të flitej për tema të tilla, gjithnjë e më tepër po diskutohen çrregullimet e shëndetit mendor. Personazhet e famshëm, si Lady Gaga apo Selena Gomez, të cilët kanë mjaftueshëm fuqi për të ndikuar te masa ose së paku te një pjesë e ndjekësve të tyre, flasin prej kohësh për përballjen me çregullimet mendore. Së fundmi, në një intervistë për WSJ Magazine, Selena Gomez foli ndër të tjera për shëndetin mendor. ”Kam patur vetëvlerësim të ulët dhe kjo është diçka me të cilën po punoj prej kohësh. Ndihem e fuqishme sepse kam fituar shumë njohuri në lidhje me atë që po përjetoja. Zbulova që vuaja nga çrregullimet e shëndetit mendor dhe sinqerisht ishte një lehtësim i madh. Kuptova se ekzistonte një mënyrë për t’i lehtësuar ato. Kam marrë mjekimin e duhur dhe jeta më ka ndryshuar plotësisht”.
Mjekimi ishte një faktor i rëndësishëm që ndikoi te përmirësimi i gjendjes së Selena-s, mirëpo kjo gjë mund të jetë problematike për të tjerët. Ajo që është me rëndësi për t’u theksuar është fakti që përballja dhe mënyra sesi trajtohen problemet e shëndetit mendor janë të ndryshme në varësi të individit dhe simptomave përkatëse. Megi Kociaj, që ka studiuar për Neuroshkencë, degë multidisiplinare që ndërthur biologjinë, fiziologjinë, anatominë, biologjinë molekulare, psikologjinë etj. për të studiuar gjithë dinamikën e sistemit nervor në King’s College në Londër, u shpreh për Anabel.al se deklarata e Selena-s mund të jetë deri-diku problematike, për shumë arsye.
Vetëm 2/3 e njerëzve reagojnë kur marrin ilaçe, 1/3 nuk ka asnjë ndryshim, ndërkohë te 2/3 që marrin ilaçe, ka plot efekte anësore dhe krijohet tolerancë me kalimin e kohës dhe duhet të ndryshojnë ilaçet ose dozat. Të llogarisim këtu që e kam fjalën vetëm për rastet kur njerëzit kërkojnë ndihmë, për të cilët kemi edhe të dhënat. Për pjesën tjetër që nuk shkon fare te doktori ne nuk e dimë fare si reagon, nuk e dimë nëse reagon. Ilaçet janë ndihmuese për shumë sëmundje, shpeshherë edhe të domosdoshme. Problemi është që kur vjen puna te çrregullimet e shëndetit mendor, asgjë nuk dihet me siguri.
Selena është në pozicion perfekt se ka provuar sa e sa ilaçe nga kushedi sa profesionistë super të mirë dhe ka gjetur diçka që funksionon. Por ky funksionim mund të jetë edhe i përkohshëm ose të jetë funksionim psikologjik, që nuk vjen fare nga ilaçi. Kompleksiteti i temës së ilaçeve është i jashtëzakonshëm dhe shumë i ndjeshëm. Është një balancë shumë e hollë midis efikasitetit dhe efekteve anësore mbi simptomat kryesore. Ilaçet që kemi në treg për momentin targetojnë një sistem (monoaminet, si për shembull seratonina), që është sugjeruar që nga vitet 1960-1970. Jo çdo njeri që ka depresion, ka ndryshim te ky sistem. /Anabel/